Shefi i shkon te shtëpia punëtorit që ia la punën pa paralajmërim, e rrah dhe e kërcënon me armë
Mosmarrëveshjet mes punëdhënësve dhe punëtorëve janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë edhe në përleshje.
Pagat, borxhet e largimi nga puna janë vetëm disa nga arsyet e konflikteve të tilla. Kështu dyshohet se ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në Rogovë të Gjakovës, raporton Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë bërë me dije se këtë herë në rast janë të përfshirë dy persona, një 43-vjeçar dhe ish-punëtori i tij, të cilin po e akuzon se ka vendosur të largohet nga puna pa e njoftuar paraprakisht.
Sinjali mëson se sherri mes tyre dyshohet se plasi gjatë ditës së djeshme, kur viktima kërkoi ndihmën e Policisë dhe raportoi se është sulmuar dhe kërcënuar me armë zjarri nga ish-shefi.
Në bazë të informacioneve të para, i dyshuari ia ka zënë pritën viktimës te shtëpia e tij dhe aty dyshohet se i ka kërkuar llogari pse ka vendosur që ta lë punën, e madje e ka akuzuar edhe për një borxh.
Për të mos mbaruar me kaq, viktima ka deklaruar se i dyshuari e ka goditur dhe e ka kanosur me armë, duke i shkaktuar kështu shqetësim.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij për veprat penale “Kanosje”, “Sulm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.