Shefi i ushtrisë ukrainase dhe ministri i Mbrojtjes e vizitojnë vijën e frontit
Shefi i ushtrisë ukrainase, Oleksandar Syrskiy, tha të dielën se bashkë me ministrin ukrainas të Mbrojtjes, Rustem Umerov, e vizituan vijën e frontit ku forcat e Kievit po luftojnë për t’i zmbrapsur forcat pushtuese ruse.
Ai theksoi se qëllimi i vizitës ishte analizimi i gjendjes dhe gjetja e mënyrave për ta përforcuar mbrojtjen.
“Gjatë vizitës, ne e analizuam hollësisht gjendjen e tanishme dhe biseduam për hapat e mëtejmë, së pari për t’i mbrojtur trupat nga sulmet ajrore dhe me dronë përmes sistemeve mbrojtëse ajrore, si dhe përforcimin e zonave të caktuara të frontit”, shkroi Sirskiy në Facebook të dielën.
Nuk është e qartë se kur dhe ku ndodhi vizita, por Syskiy shkroi për këtë një ditë pas përvjetorit të dytë të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, dhe në një kohë kur Ukraina është në vështirësi për t’i zmbrapsur forcat ruse, për shkak të mungesës së armëve dhe municionit.
Umerov tha se fundmi se mungesa e predhave të artilerisë bëri që forcat ukrainase ta kufizonin në jo më shumë se 2.000 qitjen me predha brenda ditës përgjatë vijës së frontit 1.500 kilometra të gjatë, derisa forcat ruse po shkrepin trefish më shumë.
Më 13 shkurt, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Syrskiy dhe Umerov “i kanë vizituar të gjitha pikat e nxehta të frontit”.
Më 23 shkurt, Syrskiy dhe Umerov u takuan me një delegacion të senatorëve amerikanë për të biseduar për gjendjen në fushëbetejë dhe për nevojën për më shumë armë dhe municion.
Në të njëjtën ditë, presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët ta miratojnë një paketë për shpenzime emergjente, e cila do t’i dhuronte Ukrainës 60 miliardë dollarë “para se të bëhet tepër vonë”.
Ukraina ka thënë se e ka trefishuar prodhimin e armëve vitin e kaluar, pasi synon ta rrisë prodhimin dhe inovacionin e armëve.
Ajo u ka bërë thirrje gjithashtu partnerëve perëndimorë ta rrisin furnizimin me armë dhe fondet, dhe për këtë ka marrë përgjigje pozitive nga Britania e Madhe, Suedia dhe vende të tjera në ditët e fundit.
Megjithatë, Umerov tha më 25 shkurt se gjysma e armëve të dhuruara nga Perëndimi mbërritën me vonesë në Ukrainë.