Shefi i Wagner-it, vdes në një aksident me avion privat
Yevgeni Prigozhin ka mbetur i vdekur pas një aksidenti ajror me një avion privat në zonën Tver Oblast të Rusisë, sipas Agjencisë Federale Ruse për Transportin Ajror.
Lajmin e kanë publikuar edhe dy prej transmetuesve kryesorë në Rusi, gazetat Tass dhe Kommersant.
Sipas publikimit të gazetave ruse, 10 pasagjerë kanë qenë në radhët e viktimave dhe një prej tyre është pikërisht shefi i grupimit mercenar Wagner, Yevgeni Prigozhin.
“Ka nisur një hetim për rrëzimin e avionit Embraer, i cili ndodhi sonte në rajonin e Tverit. Sipas listës së pasagjerëve, midis tyre është emri dhe mbiemri i Yevgeny Prigozhin”, shkruhet në njoftim.
Sipas Ministrisë ruse të Emergjencave, në bordin e avionit të rrëzuar ndodheshin 10 persona, përfshirë tre anëtarë të ekuipazhit. Sipas informacioneve paraprake, të gjithë në bord u vranë.
Disa prej burimeve pranë vendit të ngjarjes ndërkaq, kanë raportuar edhe vdekjen e Dmitry Utkin, një prej zyrtarëve më të lartë të Wagnerit, i cili po ashtu mendohet se ndodhej në bordin e avionit privat.
Një prej kanaleve të Wagner në Telegram, i emërtuar “Grey Zone”, ka raportuar ngjarjen duke thënë se avioni u rrëzua nga mbrojtja ajrore në rajonin Tver, i cili ndodhet në veri të Moskës.
Ndërsa, menjëherë kanë nisur edhe spekulimet se pas kësaj ngjarjeje nuk mundet veçse të fshihet dora e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili pa diskutim me Prigozhin e kishte një çështje të hapur atë post-rebelimit.
Prigozhin mori emër mbi të gjitha për një revoltë të zhvilluar më 24 qershor, në të cilën përmes grupimit të tij mercenar, ai u fut në Rusi dhe nisi një marshim drejt Moskës, ku kërkoi deri edhe rrëzimin nga pushteti të Vladimir Putin në një pikë.
Por, rebelimi zgjati vetëm 24 orë, pasi në bisedime intensive me liderin bjellorus, Alexander Lukashenko, u arrit një marrëveshje për tërheqjen e Wagner nga Rusia dhe ekzilin e tyre në Bjellorusi, ku u angazhuan për dy muaj në trajnimin e forcave bjelloruse në kufi me Ukrainën.
Roli i Wagner në luftën e Ukrainës ka qenë i plotë, ku luftimet më intensive i ka zhvilluar në fshatin Bakhmut, për mbi gjashtë muaj kundër forcave ukrainase, duke arritur ta marrë territorin.
Megjithatë, kjo me një kosto shumë të lartë, pasi gjysma e trupave të Wagner u vranë në fushëbetejë.
Kjo e çoi Prigozhin në një rebelim të avashtë, me replika të ashpra në distancë kundër ministrit rus të Mbrojtjes, Sergey Shoigu, të cilin e ka akuzuar disa herë se ka kërkuar t’i shfarosë dhe ushtarët e Wagner nga faqja e dheut.
Së fundmi, ai ishte shfaqur në një video në Afrikë, të cilën e publikoi në kanalet e Wagner në Telegram.
Wagner besohet se ka mijëra luftëtarë në kontinentin e zi, ku ka interesa biznesi fitimprurës.
Ushtarët e Prigozhin janë të ngulitur në vende duke përfshirë Malin dhe Republikën e Afrikës Qendrore (CAR) – ku grupet e të drejtave të njeriut dhe OKB-ja i akuzojnë ata për kryerjen e krimeve të luftës.