Shefi i Wagnerit: Ajo që po ndodhë në Ukrainë është turp
Kreu i grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin, është shfaqur në disa video që thuhet të jenë incizuar në Bjellorusi.
Në pamjet e publikuara në Telegram, Prigozhin, shihet duke i mirëpritur luftëtarët e Wagnerit dhe duke i përshkruar luftimet në Ukrainë si një turp.
Ky është filmimi i parë i Prigozhinit që kur Wagner nisi një kryengritje të armatosur brenda Rusisë në fund të qershorit.
Në video, Prigozhin thotë se luftëtarët “bënë një luftë të denjë” në Ukrainë dhe kishin “bërë shumë” për Rusinë, dhe kritikon ashpër sjelljen në luftë.
“Ajo që po ndodh aktualisht në vijën e frontit është një turp në të cilin ne nuk duam të marrim pjesë dhe duhet të presim derisa të tregojmë fuqinë tonë të plotë”, tha Prigozhin, shkruan BBC.
Ai vazhdon duke thënë se “është marrë vendimi për të qëndruar këtu në Bjellorusi për një kohë të caktuar” dhe Wagner do ta shfrytëzonte kohën për ta bërë ushtrinë bjelloruse “ushtrinë e dytë në botë”.
Prigozhin po ashtu lë të kuptohet se ushtarët e tij do të përgatiten dhe do të kthehen në front, kur sipas tij, “të jemi të sigurt se nuk do të detyrohemi ta turpërojmë veten dhe përvojën tonë”.