Shefi i Zyrës së BE-së mirëpret vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e ka mirëpritur deklaratën e Gjykatës Kushtetuese që kërkon nga autoritetet e Kosovës të ekzekutojnë vendimet në rastin e pronës së Manastirit e Deçanit.
“E mirëpres deklaratën e sotme të Gjykatës Kushtetuese që kërkon nga autoritetet e Kosovës të ekzekutojnë të gjitha vendimet e mëparshme të Gjykatës, dhe vendimin për moszbatim të dy vendimeve, përfshirë vendimin e vitit 2016 në rastin e pronës së Manastirit e Deçanit. Dështimi në ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese shkel si Kushtetutën ashtu edhe parimet themelore të sundimit të ligjit”, ka deklaruar ai.
Ai ka vlerësuar se nga zbatimi i këtyre vendimeve përfitojnë të gjithë në Kosovë.
“BE -ja është e përkushtuar për zhvillimin e Kosovës. Respektimi i sundimit të ligjit dhe vendimeve gjyqësore është një vlerë themelore evropiane dhe çelësi për çdo përparim. Nga kjo përfitojnë të gjithë në Kosovë. Qëllimi ynë është i qartë. Ne e shohim Kosovën me një perspektivë evropiane, duke ndarë vlera të përbashkëta”, është thënë në deklaratën e Szunyog.