Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë thotë se duhet bashkëpunim për reformat integruese

23 tetor 2020 | 17:14

Anëtarët e Komisioni për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës kanë takuar shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, me të cilin kanë biseduar lidhur me raportin e progresit nga KE-ja për Kosovën për vitin 2020.

Takimin e kryesoi Ismet Beqiri, kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane, i cili në fillim të takimit e njoftoi Tomas Szunyog lidhur me punën dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Komisioni, si dhe angazhimet e parapara në agjendën e Komisionit, e që kanë të bëjnë me integrimet evropiane, raporton “Epoka e re”.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, duke elaboruar raportin, para anëtarëve të komisionit fillimisht foli për angazhimet e ekonomike të BE-së në Kosovë dhe rajon.

Investimi prej 9 miliardë eurosh në Ballkanin Perëndimor, tha ai, është tregues i mjaftueshëm për përkushtimin e BE-së ndaj rajonit.

Sa i përket sfidave, të cilat janë të theksuara edhe në raportin e KE-së, përfaqësuesi i BE-së Tomas Szunyog, tha se ato mbesin pothuajse të njëjtat me ato të paraqitura edhe në raportin e vitit të kaluar.

Me këtë rast, ai përmendi reformat e ngadalta në administratën publike, luftën kundër korrupsionit, si dhe çështje të tjera të theksuara në raport.

Szunyog ka folur edhe për zbatimin e MSA-së, si dhe programin ERA-2.

Sa i përket të arriturave, përfaqësuesi i BE-së nënvizoi disa nga ligjet, siç është ai për korporatat, ndërkaq, u shpreh se për shkak të krizës politike dhe problemeve që ka shkaktuar pandemia, disa nga çështjet edhe nuk kanë mundur të trajtohen në mënyrë adekuate.

Duke folur për liberalizimin e vizave, çështje kjo për të cilën u angazhuan të gjithë anëtarët e komisionit, Tomas Szunyog bëri me dije se vendimi lidhur me këtë duhet të merret nga Këshilli Evropian nga 27 vendet anëtare.

Lidhur me rekomandimet që përmban raporti, Szunyog vlerësoi se është i domosdoshëm një bashkëpunim i ngushtë institucional në Kosovë dhe një strategji e qartë për realizimin e reformave integruese.

Në paraqitjen e tij me këtë rast, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, u shpreh kritik edhe ndaj vendimit të qeverisë për shuarjen e Task- Forcës anti korrupsion.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një italian 52-vjeçar, i cili kërkohet në Gjermani nën dyshimet…