Shefit të “Amazonit”, Bezos, iu shtua pasuria për 22 miliardë euro
Themeluesi dhe shefi i “Amazonit”, ka regjistruar rritje të pasurisë për 22 miliardë euro (24 miliardë dollarë). E gjithë kjo falë shitjeve online, për çka ngriti aksionet e firmës në një nivel tjetër, shkruan të mërkurën “BBC”.
Jeff Bezos tash ka pasuri prej 126 miliardë eurosh (138 miliardë dollarë), sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloombergut, duke u pozicionuar si njeriu më i pasur në botë.
“Amazoni” ka përfituar nga rritja e blerjeve nga njerëz të izoluar në mbarë botën, të cilët po qëndrojnë në shtëpi si pasojë e pandemisë Covid-19.
“Amazoni” ka rekrutuar mijëra punëtorë për të përballuar kërkesat e shumta për blerje.
Bezos posedon 11% të aksioneve në “Amazon” dhe të martën ato shënuan rritje deri në 5.3%.
Sipas “Bloomberg”, 500 njerëzit më të pasur në botë kanë humbur 506 miliardë euro (553 miliardë dollarë) deri më tash si pasojë e pandemisë.
Investitorët në industrinë globale të naftës dhe gazit kanë pësuar humbjet më të mëdha.