Shefja e BE-së në Kosovë thotë se të drejtat e pakicave mbrohen vetëm në letër
Mos zbatimi i të drejtave të pakicave në praktikë, mungesa e përkthyesve dhe mungesa e integrimit të pakicave në gjyqësor, janë problemet kryesore me të cilat po përballen komunitetet jo shumicë në Kosovë.
Kështu ka deklaruar të martën shefja e Zyrës së BE-s në Kosovë, Natalyia Apostolova në tryezën e rrumbullakët “Mundësi të barabarta për komunitetet jo shumicë në gjyqësor”.
Ajo ka thënë se hendeku gjuhësor po rrezikon gjyqësorin në Kosovë, pasi që shqiptarët dhe komunitetet jo shumicë nuk po mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit.
Përkundër arritjeve që Kosova ka shënuar me përparimin e të drejtave të njeriut, Apostolova ka thënë se ekzistojnë disa probleme substanciale praktike sa i përket problemeve gjuhësore, të cilat duhet adresuar shpejtë.
Apostolova ka deklaruar se Kosova ka arritur përparim dhe konsolidim në të drejtat e njeriut.
“Ka mungesë serioze të përkthyesve dhe praktikuesve të profesionit që janë dygjuhësh. Ky është një problem i posaçëm pasi që gjenerata e vjetër ia lënë vendin të rinjve, të cilët nuk inkurajohen të mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit. Hendeku mes gjuhëve është duke u rritur dhe kjo e prekë shumë sistemin gjyqësor. Ky hendek gjuhësor, nëse nuk adresohet në mënyrë proaktive, Kosova rrezikon të bëhet monogjuhësore, duke përfshirë edhe sektorin e sundimit gjuhësor. Ky problem ka të bëjë me diskrepanca ndërmjet versioneve ën shqip dhe serbisht, të ligjeve të miratuara, edhe me variacione të vogla në kuptimin e nenit të njëjtë. Është e qartë, derisa në letër të drejtat e pakicave janë të mbrojtura mirë, kjo nuk përkthehet në realitet ende”, ka deklaruar Apostolova.