Shefja e BQE-së: Çmimet e produkteve do të vazhdojnë të rriten, politika monetare duhet të jetë këmbëngulëse
Shefja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde ka deklaruar se normat e larta të inflacionit duket se do të rriten më tej deri në fund të vitit.
Lagarde ka theksuar se politika monetare duhet të jetë e durueshme dhe këmbëngulëse, pasi sipas saj, rritja e çmimeve ndoshta do të ngadalësohet.
“Ne jemi ende në një fazë ku ekonomia po rihapet dhe efektet e pandemisë COVID-19 nuk janë shfaqur plotësisht”, tha Lagarde.
Ajo është shprehur se rritja e çmimeve të energjisë, pengesat e furnizimit dhe tërheqja e kufizimeve të imponuara nga pandemia po çojnë në fërkime të jashtëzakonshme në disa sektorë.
“Ky inflacion është i padëshiruar, i dhimbshëm dhe natyrisht ka shqetësime se sa do të zgjasë”, është shprehur ajo.
Sipas Lagarde, duhet të identifikohen nxitësit kryesorë të inflacionit për ta kuptuar mënyrën se si politika monetare të përgjigjet në rrethanat aktuale.
“Këta nxitës duket se do të zhduken në periudhën afatmesme, që është fushëpamja që ka rëndësi për politikën monetare. Dhe, për shkak se ato rrjedhin kryesisht nga ana e ofertës dhe çmimet e energjisë, ata ndoshta do të ngadalësojnë ritmin e rimëkëmbjes afatshkurtër”, tha Lagarde.
Banka pret që Prodhimi i Brendshëm Bruto të tejkalojë nivelet para pandemisë në tremujorin e katërt të vitit 2021. /Telegrafi/