Shefja e EULEX-it kërkon përpjekje për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur në Kosovë.
Shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, ka thënë se për fat të keq, pothuajse njëzet vite pas përfundimit të luftës, në listën e personave të pagjetur të Kosovës ende figurojnë edhe 1 648 emra.
Sipas saj, dhimbja dhe vuajtjet e familjeve dhe miqve të viktimave është tejet e rëndë.
“Duke qenë se EULEX-i është duke i dorëzuar përgjegjësitë kyçe në fushën e sundimit të ligjit tek institucionet relevante të Kosovës në pajtim me mandatin e tij të ri të rikonfiguruar që përfshinë edhe punën e Institutit të Mjekësisë Ligjore – është e domosdoshme që autoritetet e vendit të tregojnë zotim të vërtetë dhe t’i dyfishojnë përpjekjet për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve”, ka thënë shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.
Në kuadër të mandatit të ri, EULEX-i vazhdon të ketë kapacitete forenzike të specializuara. “Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë t’iu ofrojmë ekspertizë të këtij lloji homologëve tonë nga Kosova kurdo që nevojitet dhe kërkohet”, ka thënë Papadopoulou.
Që nga viti 2008, EULEX-i ka kryer 609 operacione në terren me qëllim të identifikimit dhe ndërlidhjes së mbetjeve mortore, përfshirë 153 zhvarrime.
Mbetjet mortore të 440 individëve janë identifikuar, 307 prej të cilëve ishin persona të pagjetur.
506 mbetje mortore u janë kthyer familjeve të tyre.
EULEX-i po ashtu ka mundësuar analizat e ADN-së për 2 261 mostra të eshtrave.
/Epoka e re/