Shefja e Komisionit Evropian kritikohet për emërimet e reja
Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen është përballur me kritika për shkak të nominimit të një komisionari përgjegjës për “Mbrojtjen e Mënyrës sonë Evropiane të Jetesës”.
Kritikët kanë thënë se ky departament, që do të vëzhgojë migrimin dhe sigurinë, lidhet me retorikë të krahut të djathtë.
Një deputete evropiane holandeze e ka konsideruar këtë hap “grotesk”, derisa organizata ndërkombëtare, Amnesty International ka thënë se ai është “shqetësues”.
Migrimi është kthyer në fushën më të ndjeshme politike në shumë shtete të Bashkimit Evropian.
Disa grupe të krahut të djathtë dhe ato nacionaliste kanë shënuar rritje të mëdha zgjedhore, pas zotimeve se do të zvogëlojnë valën e emigrantëve në bllokun evropian.
Roli i ri është bërë i ditur pasi von der Leyen ka emëruar ekipin e saj ekzekutiv.
I nominuari i saj për këtë pozitë është ish-eurodeputeti, Margaritis Schinas, i cili mban pozitën e zëdhënësit të Komisionit Evropian dhe është anëtar i partisë së krahut të djathtë në Greqi, Demokracia e Re.
Në letrën e saj drejt Schinas, von der Leyen ka thënë “mënyra jonë evropiane e jetesës është e ndërtuar rreth solidaritetit, mendjes paqësore dhe sigurisë”.
Mirëpo Amnesty International e ka akuzuar BE-në për “përdorim të qasjes së të djathtës ekstreme” duke lidhur migrimin me sigurinë.
Ursula von der Leyen, ish-ministre e Mbrojtjes në Gjermani do të zëvendësojë zyrtarisht presidentin e Komisionit Evropian më 1 nëntor.
Ekipi i saj ekzekutiv prej 27 personave, pritet të udhëheqë për pesë vjetët e ardhshëm.
Nëse miratohet nga Parlamenti Evropian, ky ekip do të ketë më së shumti diversitet gjinor në historinë e BE-së, me 13 gra dhe 14 burra.