Shefja e UNMIK-ut kërkon vazhdimin e përpjekjeve për zgjidhjen e fatit të të zhdukurve
Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka bërë thirrje që të vazhdohen përpjekjet dhe përkushtimi për ta zgjidhur fatin e viktimave të zhdukjeve të dhunshme.
Ajo ka kërkuar që autoritetet ta kenë prioritet këtë çështje në mënyrë që edhe t’i zbusin vuajtjet e familjeve.
“U bëj thirrje autoriteteve kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar, në mirëbesim, Deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan në maj në kuadër të Dialogut të përkrahur nga BE-ja. Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur mund të kontribuojë në procesin më të gjerë të ndërtimit të besimit, pajtimit dhe ruajtjes së paqes. Mungesa e progresit mund të dëmtojë dialogun e vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit” ka thënë Ziadehu në një deklaratë në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.
Po ashtu, ajo ka kujtuar vizitën e fundit dhe gjetjet kryesore të raportuesit special të Kombeve të Bashkuara për Promovimin e së Vërtetës, Drejtësisë, Dëmshpërblimit dhe Garancive për Mospërsëritje, Fabian Salvioli, i cili kishte konstatuar se politizimi i kërkimit të personave të zhdukur kishte sjellë zhgënjim të madh në shoqërinë civile dhe në familjet e tyre.
“Fati i viktimave të zhdukjeve me forcë duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, ndërtimit të besimit dhe respektimit të së drejtave të njeriut, dhe jo të politizohet”, ka thënë Ziadeh.