Shefja e USAID-it, në emër të Bidenit, kërkon themelimin e Asociacionit: Dialogu duhet përfundojë me njohje reciproke
Shefja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka thënë se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është hap thelbësor për të siguruar vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Power në një konferencë të përbashkët për medie me kryeministrin Albin Kurti ka dhënë mesazhet e administratës Biden për marrëveshjen e fundit të arritur ndërmjet dy vendeve.
Sipas saj është urgjente krijimi i Asociacionit dhe zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi.
Më tutje, ajo ka thënë se procesi i normalizimit të përfundojë me njohje reciproke dhe se ky vazhdon të jetë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton “EO”.
“Si përfaqësuese e administratës së Biden kam ardhur që të përforcojë mesazhin që administrata e Biden e ka thënë në lidhje me rëndësinë e implementimit të marrëveshje që do të prodhojë një normalizim që do të jetë tejmase i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë. Normalizimi do të jetë i dobishëm për biznesin”.
“Kemi pas bisedime të gjera në orët e fundit në lidhje me urgjencën e krijimit të Asociacionit, si dhe urgjencën për zbatimin e plotë të të gjitha aspekteve të marrëveshjes. Kemi shpresë që palët do të kalojnë në fazat e ardhshme të dialogut me propozime specifike”.
“Zgjedhjet politike që i kemi para vetes janë shumë të vështira. Në emër të ShBA dhe Bidenit dua të nënvizojë edhe njëherë urgjencën për të lëvizur përpara me implementimin dhe po ashtu rëndësinë e diskutimeve të ndërmjetësuara nga Lajçaku. E kemi bërë të qartë përmes Cholletit dhe Escobarit. Kemi cekur cilat janë parimet dhe besojë se në çdo asociacion duhet t’i përmbahen atyre kushteve dhe kemi besimin që me sinqeritet dhe këto çështje të zgjidhen në mënyrë specifike dhe të ndihmojnë në progres dhe mund të bëhen avancime të mëdha në ditët në vijim”, ka thënë ajo.