Shefja e USAID-it zotohet për vazhdimin e mbështetjes për Gjykatën Kushtetuese
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, Gresa Caka – Nimani, ka pritur në takim shefen e re të Misionit të USAID-it në Kosovë, Eileen Devitt.
Pasi i ka uruar suksese Devittit në detyrën e saj të re, kryetarja Caka – Nimani ka vënë theksin në bashkëpunimin e shkëlqyer dhe përkrahjen e çmuar që USAID i ka ofruar ndër vite Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe infrastrukturore të saj, si dhe në përmirësimin e komunikimit me publikun.
Kryetarja Caka – Nimani në vazhdim e ka informuar Devittit më në detaje përkitazi me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese, përbërjen aktuale të saj, praktikën e konsoliduar gjyqësore, si dhe për progresin e arritur në nivel vendi në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e drejtësisë kushtetuese.
Ndërsa shefja e USAID-it, Eileen Devitt, ka shprehur mirënjohjen e saj për mundësinë e shërbimit në Kosovë dhe është zotuar për vazhdimin e përkrahjes së USAID-it ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe për institucionet e tjera në vend.