Shefkije Islamaj, studiuesja që ndjek majat e artit të gjuhës
Tefë Topalli
Që prej 40 vjetësh, kur u shfaq me botime shkencore në lëmë të gjuhës së autorëve tanë, e kupton se prof. Shefkije Islamaj, ka synuar dhe ka arritur të bëjë objekt të punës së saj veprat e tre emrave më të shquar të letërsisë shqiptare: i pari, Jakov Xoxa, në shkrimtarinë e jashtëzakonshme të të cilit, ka zbuluar se në të parën sagë romanore të letërsisë sonë, e ka përdorur fjalën në ligjërimin e tij të shkruar për të karakterizuar aq bukur një kohë Shqipërie dhe një brez shqiptarësh, anën psikike të tyre dhe pasurinë shpirtërore në periudha dramatike të jetës, nëpërmjet shprehjeve popullore dhe frazeologjisë, artit të gjuhës; i dyti, Gjergj Fishta, që thuri ode dhe epope të pavdekshme për historinë kombëtare në një periudhë të luftës për ekzistencë të tyre, duke i kënduar lavdisë së gjuhës shqipe e popullit të tij, që po bënte Shqipërinë dhe do të bëhej shpejt edhe vetë; ndërsa i treti, akademiku Rexhep Qosja, shkrimtar dhe studiues i thellë i letërsisë sonë, që e ka çmuar fjalën e lashtë shqipe, sepse ajo është treguar më e fuqishme sesa kërcënimet që i janë bërë gjatë shekujsh, edhe sepse Gjuha, në të vërtetë, është pasuria jonë më e madhe.[1]
Gjuhën e këtij shkrimtari e studiuesi, akademiku dhe mjeshtri të vërtetë të letërsisë, merr të studiojë prof. Shefkije Islamaj kësaj radhe, pasi ka kaluar në filtrin e analizës stilistike veprat e Jakov Xoxës dhe Gjergj Fishtës. Dhe do ta bëjë këtë pasi vetë Rexhep Qosja ka realizuar para shumë viteve Profile shkrimtarësh: nga De Rada e Naimi, nga Mjeda e Noli, nga Hivzi Sulejmani, Nonda Bulka e Esad Mekuli.[2] Idhtare dhe perudhëse e teorisë stilistike të trajtuar për herë të parë në gjuhësinë tonë nga Xhevat Lloshi, Shefkije Islamaj ka përvetësuar analizat dhe vështrimet stilistikore koherente për autorë e vepra artistike të shkrimtarëve tanë të shquar, veçse, me monografinë “Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”– ajo ka realizuar një studim të pazakontë, tej gjerësisë dhe përmasave që jemi mësuar të shohim në kërkimet e fushës këta vitet e fundit.
- Struktura e veprës
Struktura e veprës së autores sonë, dallohet si në vështrimin didaktik, ashtu edhe në thellësinë e paraqitjes, në atë masë sa monografitë e prof. Islamaj, krejt lehtë mund t’i përfshijmë në programe mësimore, përndryshe, në ato pasuniversitare të Masterit shkencor, sepse ato janë tekste të gatshme mësimore për lektorim. Kështu, do të na shërbente “Gjuha e Jakov Xoxës” dhe monografia e gjerë për “Gjuhen e stilin” e Gj. Fishtës, në dy vëllime. Në këtë mënyrë, ajo ia del të ndërtojë një stilistikë të veprave të Rexhep Qosjes. Për çdo 10-12 vjet ajo na ka dhuruar punime që, deri më sot, di t’i bëjë vetëm ajo për autorë të tillë e në përmasa si këto, për shkrimtarë që janë në maje të letërsisë shqiptare; prandaj dhe themi se autorja synon e i ngjit këto maja të artit letrar, me aq pasuri gjuhe e stili për t’u admiruar e marrë shembull nga krijuesit e brezave më të rinj, të çfarëdo shkolle të pretenduar prej tyre…
Nuk mund të lihet pa u pohuar se vepra që kemi sot në dorë prej profesores Shefkije ka një bibliografi të pasur, që i përgjigjet fushës dhe argumentit të trajtuar, një mbështetje burimore teorike, që pothuajse vjen e barazohet me emra studiuesish dhe vepra të vjela nga gjuhëtarë vendës dhe të huaj, në raportin 75 me 75. Midis tyre 13 vepra janë të autores sonë, e cila ka krijuar bibliotekën e saj me tituj studimesh në lëmë të gjuhës e stilit të shkrimtarëve.
Bien në sy nga bibliografia, si autorë të njohur perëndimorë të traditës, ashtu edhe më modernët, të shquar në linguistikën e përgjithshme dhe në fushën speciale siç është stilistika, ligjërimi, oratoria, teksti, figurshmëria etj.; por një pjesë e mirë janë edhe studiues nga bota sllave, për të cilët, mund të themi, kanë qenë e janë të privilegjuar studiuesit kosovarë, për shkak të përvetësimit të gjuhës serbo-kroate, që kanë pasur si gjuhë të parë e të dytë në arsimin e shkollave të tyre. Kujtojmë me kolegë të mi, para shumë vitesh, kur prof. Kostallari, rekomandonte që, për provimin pasuniversitar të Gjuhësisë së përgjithshme (ai ishte lektori i parë i kësaj disipline universitare për shumë vite), na rekomandonte të lexonim vepra linguistike që në Prishtinë, ishin përkthyer e botuar nga profesorët e atjeshëm, si b.f. akademiken serbe Millka Iviq (1923-2011), për veprën e saj në dy vëllime “Pravci u lingvistici” I, II. Kjo ka ndihmuar mjaft për atë brez studiuesish të viteve 1970-1990. Dua të them jo pak autorë të bibliografisë së kësaj vepre, na vijnë të cituara prej autores, të përkthyera nga gjuha serbokroate. E mendoj se ky është një përfitim plus për lexuesit e hulumtuesit e këtij lëmi studimor.
Në monografinë e gjerë njihemi me prurje të reja të studimit të kësaj fushe, si për shembull “Ligjërimi emocional”,[3] të cilat na vijnë si trajtesa që, në këtë masë shtjellimi, janë për herë të parë në studimet tona albanologjike; dhe kjo realizohet vetëm me një vepër artistike, nëpërmjet romanit “Nata është dita jonë”- vështruar në kontekstin morfosintaksor. Ajo e ka gjetur këtë roman si gjedhe më se të përshtatshme për analiza të ndryshme letrare, diskursive, poetike e sidomos gjuhësore stilistike për të zbuluar se ç’tipare moderne e postmoderne e karakterizojnë këtë vepër letrare artistike të R. Qosjes, në të vërtetë për të kuptuar ç’risi dhe ç’strategji eksperimentuese shfrytëzon autori në narracionin e tij.[4] Përveç romanit të akademikut Qosja, vjen e shpaloset mendimi i Xhozef Konradit, në parathënien e veprës së tij “Zezaku nga anija Narcis”; ajo shpjegon se në shkrimtarinë e R. Qosjes, emocionaliteti arrihet me anë të përsëritjes në rrafsh leksiku e sintakse (shoqëruar me shembuj), duke mënjanuar qëllimshëm rrjedhën kronologjike të ngjarjeve, zë fill intimiteti i lexuesit me narratorin e personazhin kryesor, pohon autorja, duke krijuar një përzierje të ligjërimit të drejtë e të zhdrejtë, si një analogji me romanet e Xhojsit dhe Folknerit. Romani “Nata është dita jonë”, roman pa fabul, vjen larg kanoneve të traditës, me shtesa ndërtekstore, dhe shtresa ndërtekstore etj. E gjithë kjo e ka bazën te pasuria e gjuhës shqipe, me njësi gjuhësore: fjalë, shprehje e ndërtime që shprehin gjendje nga më të ndryshmet emocionale, me variacionet e ngjyresat e tyre të shumta….[5]
Me shumë interes janë sythet që shtjellon autorja për njohuritë e lidhura me emocionet si kategori semantike e psikike dhe ligjërimit emocional, që aktualizohet në dy kodet: verbal dhe jo verbal. Ky roman, sipas gjuhëtares, jep mundësi të vështrohet natyra poetike e tij, njëherësh edhe nyjëtimi i ligjërimit emocional: me anë të përsëritjes, ndërtimeve me parataksë, rendit të mjeteve shprehëse, intonacionit thirrmor, tonit të ngritur, anasjellës etj. Veçori të tjera shfaqen për dukuri të rendit: prapavendosjet, tejvendosjet, degëzimet fjaliesore, me shumë shenja pikësimi (që përbëjnë pauzat e masave të ndryshme); copëzimi, ritmizimi dhe shtimi a përforcimi i emocionalitetit të shprehjes, me ndikim në tekstin e narratorit, shndërruar në narracion të theksueshëm lirik, subjektiv e të poetizuar. Nënvizohet gjithashtu se përbërësit e stilit të Qosjes shfaqin afërsi me poezinë e parimet e ndërtimit të saj. Në pasurinë gjuhësore të romanit pohohet se ka ndërtime të ndryshme fjaliesore: me frazema të karakterit proverbial, aforistik, gnomik burimesh e tipash të ndryshëm, shpesh, edhe me ndërhyrje të autorit: modifikime e zgjerime strukturore e kuptimore. Të gjitha këto prurje terminologjike e konceptuale, autorja na i shoqëron me shembuj të shumtë e të plotë nga kontekste të ndryshme, të cilat dëshmojnë se ligjërimi emocional në prozën e R. Qosjes, nuk mund të studiohet njësoj si në një kontekst jo letrar, sepse ka një ndryshim midis njohjes racionale dhe asaj afektive. Ky emocionalitet, sipas autores sonë, ndihet edhe në përdorimin e fjalëzave, ku përfshihen pjesëzat, të pasura në llojin e tyre (dëftuese, përcaktuese, saktësuese, shtuese, veçuese, përafruese, modale: mohuese, pyetëse, dyshuese, zbutëse, apo pjesëzave emocionale-shprehëse (f.473); vihet në dukje, gjithashtu, edhe roli i pasthirrmave në prozën letrare të R. Qosjes, si dhe aktualizimi i një tipi ligjërimi (për romanin “Nata është…”), prej të cilit përftohen shprehje sugjeruese, lutëse, urdhëruese, kërcënuese, qortuese, arsyetuese, përçmuese, tallëse, mohuese; brenda kësaj vepre me strategji komunikuese urrejtjen, së cilës i bashkëngjiten: zemërimi, frika, zhgënjimi – si emocione shtesë. Me një vështrim të thelluar nga studimet e derisotme, na vjen trajtimi i Ligjërimit emocional dhe subjektiviteti i përemrave vetorë ( f.483 e vijim), nisur me aksiomën e gjuhëtarit frëng E. Benvenist “Përemri unë është ai që thotë unë, vetëdija për veten është e mundshme vetëm nëse provohet në kundërvënie midis unë dhe ti” dhe më tej, përemri unë është zëri i autorit, i narratorit ose i folësit. [6] Jepet në këtë syth edhe raporti midis ligjërimeve të drejtpërdrejta e të zhdrejta me individualitetin subjektiv të personazheve.
Jemi tërhequr në mënyrë të veçantë nga Pjesa V e monografisë së autores për prurjet koherente që sillen lidhur me Figurshmërinë dhe teknikën postmoderne ( f.601), në vijim Shumësia kuptimore dhe estetike e metaforave ( f.603), me studimin e thuktë të këtij tropi dhe raportet me vdekjen e katër grupet e që emërtohen: konceptuale; të ndijimeve, metaforave që shprehin marrëdhënie hapësinore, orientuese, kohore, objektore; ato që shprehin rrjedhoja fizike të vdekjes, ku gjen vend e zbardh mendimin e John L. Austin, në veprën “Kako djelovati riječima” (f. 623), krahas interpretimit të George Lakoff e Mark Johnson – edhe këta në vepra të përkthyera në serbokroatisht; pa lënë jashtë citime prej studiueses e përkthyeses së njohur Feride Papleka, nga vepra e saj “Rexhep Qosja: bisedë e pambaruar” “OM”, Prishtinë, 2018, f. 375. Përgjatë prozës së akademikut Qosja, njihemi me përcaktimet e shumta që gjuhëtarja jonë i bën vdekjes, nisë nga çifti antonimik: Vdekja-terr, jeta-ditë; Vdekja-e zezë, e ftohtë, e lagësht, e frikshme; Vdekja-poshtë; Vdekja- domosdoshmëri; Vdekja -dënim; Vdekja-pafuqi e njeriut; Vdekja-padrejtësi; Vdekja nuk është vetmi; Vdekja-frikë/ dhembje; jeta përcakton vdekjen; vdekja-gjysmëjetë; Vdekja-bashkëshoqëruese; Vdekja-dhé; Vdekja-heshtje; Vdekja (varri)-paqe, qetësi, drejtësi, e vërtetë; vdekja-luftë me jetën; Vdekja-ndarje/bashkim; Vdekja-bukuri; Vdekja-dashuri; Vdekja-pavdekësi; Vdekja – fuqi.
Janë shumë të goditura segmentet ku trajtohen: Stilematika e krahasimit ( f.638) dhe llojet e shumta të krahasimit ( f. 648): i thjeshtë, i zgjeruar, krahasimet e zhvilluara, ai argumentuese, stolisëse, si dhe krahasime konkrete, të njohura të ligjërimit popullor. Njihemi këtu edhe me trajtimin që i kanë bërë kësaj figure Keneth Burke dhe Zdenko Lesič, në librat përkatës të tyre. Të kësaj natyre-shteruese – në planin e stilit të prozës së Qosjes, na duket shtjellimi që autorja u bën “Vlerave stilistike të përsëritjes” ( f.666), të cilat dalin në shkrimtarinë e autorit të Ditarëve me aq vlera, më tepër në ligjërimin spontan (përcakton gjuhëtarja) nëpërmjet mjeteve të tilla, si: epifora, anadiploza, apostrofi, paralelizmi sintaksor (me dy dhe tre ndërtime paralele) – të gjitha që ia shtojnë stilogjenitetin tekstit të shkrimtarit. Në prozën e romaneve që bën objekt hulumtimi, ajo ka gjetur edhe paralelizma sintaksorë në kontakt e jo në kontakt, si dhe dallon përsëritjen në krye të paragrafëve – vështruar njëri pas tjetrit. Këtu mësojmë për figurën retorike të poliptotonit [7] për herë të parë përgjatë kësaj analize, krahas përsëritjes tjetër, quajtur paragmenoni, [8] ashtu se si duhet të udhëhiqemi kur regjistrojmë rastet ku këto përsëritje dalin njëherësh me një të tretë, siç është epanalepsa. Dhe për këto, shprehet autorja, figurat e përsëritjes, pos si fije lidhëse ndihmojnë sidomos të veçohen e të shquhen detajet, për të cilat Rexhep Qosja është mjeshtër i pakalueshëm…. kjo e afron prozën e romaneve të tij, shpesh, me poezinë lirike. [9]
Në këtë nivel të lartë njohjeje na sillet sythi “Epiteti dhe shumëllojshmëria e tij” (f. 686-708), ku shkrimtari ynë i shquar, edhe pa qenë një parnasian i vërtetë, i sjell atributet me shumë mjeshtëri e me vend në të gjitha farët e tyre…..Te ironia do të ndalemi tani, te ky trop e kjo figurë, siç quhet ky term, nga gr. eironeia- shndërrim, përqeshje – e trajtuar në rend të parë në 5 romanet, novelën e dramat e R. Qosjes, vepra që kërkojnë lexim paralel: të tekstit përballë kontekstit, si vëren A. Apolloni. Me stilin e përsëritjeve të prozës së Qosjes, autorja e kësaj monografie jo të zakonshme, karakterizon: “Prandaj, ironia e Rexhep Qosjes, është jo vetëm e shumëkuptimshme dhe e shumëllojshme, por edhe shumëdrejtimshe e shumëaspektore.”[10] Studiuesit më të njohur të kësaj figure stili, shkruan ajo, janë Linda Hutcheon, Ernst Behler, D.C. Muecke, Richard Rorty dhe R. Jakobson. “Fuqia e ironisë së Qosjes, nënvizohet këtu, lëviz prej shkallës më të ulët e deri te shkalla më e lartë e ngarkesës emocionale.”[11] Pasi na njeh me 8 veçoritë e këtij tropi në prozën e Qosjes, autorja trajton me shembuj konceptet Ironia dhe semantika, Ironia dhe estetika (si strategji narrative), ku mësojmë, në planin teorik, se ironia është ironi kur merr disa cilësi të veçanta-çelës, si:
a). të përbëhet prej dy shtresave ose dy rrëfimeve;
b). të ketë praninë e kundërvënies së dy shtresave: kontradiktore, mospërputhëse e të papajtueshme;
c). të karakterizohet me një si pafajësi, sipas së cilës “viktima e ironisë nuk është e vetëdijshme ose ironisti shtiret se ajo nuk është e vetëdijshme”- Muecke-u e quan papërgjegjshmëri e përgjegjshme e shkrimtarit”.[12] (Kush Akxhiu ishte edhe Kush edhe kurrkush, ishte: njeriu që sot ishte i këtillë, nesër ishte i atillë e pasnesër i këtillë dhe i atillë, prandaj: Në Varre u soll si atdhetar e u varros si hafije!) f. 714.
Te Funksionet e ironisë kuptojmë se ky trop, si figurë gjuhësore, përdoret në dy kuptime: në kuptim të gjerë – kur fjala e caktuar shpreh kuptim të kundërt nga kuptimi i saj tekstual, i fjalëpërfjalshëm, dhe në kuptim të ngushtë kur fjala a shprehja gjuhësore ka karakter shpotitës, përçmues. Në raste të tilla dalin edhe figura trope, aforizma, frazeologji etj.[13] Kurse, në “Veçoritë tipologjike të prozës së Qosjes”, ironia del e thjeshtë dhe e dyfishtë (si kundërshtuese dhe korrigjuese), apo edhe ironinë verbale – si ironi të fjalës dhe ironi situatore (me situata ironike), pasazhe që autorja i mbush me shembulla përkatëse. Përimtimi që i bën kësaj figure autorja, shkon më tej në klasifikim, me terma si këto: ironi e hapur, ironi e fshehur, ironi private – të cilësuara në tregues: jopersonale, vetëvlerësuese, e mprehtë dhe e dramatizuar. Për të gjitha këto lloje të figurshme mbështeten me fragmente nga proza e shkrimtarit. Modele ironie tjera ka dalluar prof. Islamaj në romanet e R. Qosjes, siç janë: e veçanta dhe ajo e përgjithshme, pas shembullzimeve të të cilave, janë zbuluar disa situata të ndryshme, ku shquhen: paradoksi, ku e pamundshmja bëhet e mundshme; ana e shëmtuar e jetës: dehumanizmi, dhuna, varfëria, gëzimet, dhembjet etj.; shpalosje e marrëdhënieve burrë-grua; ndërtim i situatave shokuese e befasuese; paraqitje e pamjeve natyraliste e surrealiste dhe bota e brendshme e individit. Për të veçantat e ironisë në veprat e Qosjes, autorja thekson se ajo nuk mund të kuptohet dhe interpretohet sa e si duhet, pa njohur veçoritë e hapësirës, të kohës, të kontekstit politik, shoqëror dhe kulturor, historinë shqiptare, të vjetrën dhe të renë…..; ironia e tij sjell edhe frymën e ironisë së shekujve pararendës, sepse ai e njeh mirë trashëgiminë e pasur kulturore të njerëzimit në shekuj. [14]
Para monografisë së prof. Islamaj, nëse ke menduar se di shumë për tropin e ironisë, pas leximit të saj, ke për të mësuar se etërit e studimit të kësaj figure duhen kërkuar te helenët e lashtë: nga Sokrati, Platoni e Aristoteli; më vonë te shkrimtarë e filozofë, si: Shlegeli, Kierkegard, Tomas Mani, Kafka, Llukaçi, Sartri, Adorno e Rorti – të gjithë këta, sipas autores, janë mësuesit më të denjë të shkrimtarit erudit Rexhep Qosja. (f.726)
Dhe, për ta kuptuar këtë ironi në prozën e shkrimtarit, duhet ditur më parë se Ironia është figurë dhe mjet stilistik; pra, shtrohet çështja cilat janë rrafshet kryesore ku realizohet ironia e tij; e ato i gjejmë të renditura në librin që kemi përpara: ligjërimi i rrëfimtarit, monologët dhe dialogët e personazheve, komunikimi zyrtar, shkresat zyrtare, teksti me tematikë politike, shkencore, letrare, letrat, miniesetë, kujtimet, ëndrrat.[15] Në shembujt e shumtë që janë vjelë nga autorja, dalin në pah rastet kur ironia kthehet në sarkazëm, në ironi sarkastike, përzier edhe me satirën; kur sarkazmi shquan gjendjen emocionale të atij që i drejtohemi, për ta nënçmuar, lënduar me leksik ironizues, përçmues e me vulgarizma. I thuhet lexuesit se ka edhe grupime të tjera të kësaj figure letrare, por ajo ndalet kryesisht tek ironia tragjike, ironia dramatike dhe ironia sarkastike, nëpërmjet shembujve të shumtë duke e karakterizuar secilën në dallimet e afritë mes tyre. Mbyllet ky segment i monografisë me mjetet që shfrytëzohen në prozën e R. Qosjes, e ato janë: mjete paragjuhësore (mjete kinezike, toni e intonacioni, pauza sipas shenjave të pikësimit); mjete gjuhësore-stilistike (njësi të leksikut, neologjizma, arkaizma, vulgarizma etj.); mjete gramatikore e morfologjike ( fjalë emocionale shprehëse, onomatopetë, pezhorativët, pasthirrmat) etj. Ndërsa, si forma kryesore për shprehjen e ironisë, autori i romaneve, përdor: gjuhën ezopike, aluzionin, alegorinë, perifrazën, parabolat, antitezën, citatet, simbolin, krahasimet dhe përshkrimin në formë skicash.[16]
III. Niveli i sintaksës
Niveli i sintaksës zë pjesën II të studimit të autores sonë, që nis me një citim të F. Konicës, ku cilësitë e gjuhës shqipe përtakohen e shtrihen në një me ato të popullit që e flet. Në fillim jepen disa veçori të përgjithshme për rrafshin e stilit brenda kësaj disipline, ku proza e shkrimtarit vjen e karakterizohet nga saktësia, qartësia dhe ngjeshja semantike, nën kriterin e shmangies, sipas parimit të zgjerimit, rrëgjimit, zëvendësimit e tejvendosjes. Për dukurinë e kumulimit (grumbullimit) – sipas Rikard Simeonit – jepet shpjegimi se është grumbullim, kur përdoren më shumë shprehje të ngjashme për të paraqitur një mendim.[17] Kjo realizohet me fjalë e sintagma emërtuese, sinonime leksikore, sinonime sintagmatike, sinonime leksikore-sintagmatike, si dhe sinonime sintaksore. (f.172) herë-herë, me këto dalin blloqe leksikore, bashkuar në fushë semantike, të përbëra prej emrash, foljeve dhe mbiemrave. Rexhep Qosja shquhet për veshjen e tekstit letrar me shprehësi e emocionalitet; ndër figura ai i vë rëndësi përsëritjes me ndërtime sintaksore antonimike, fjalë sinonime, sintagma, frazema metaforike, ku bien në sy fjalët bosht, referentët; grumbullime dalin edhe në fjali brenda periudhës (frazës), për të ndërtuar tablo, pamje, situata ndodhi, gjendje të zakonshme e të pazakonshme: të dendura, me sekuenca veprimi, të ngadalshme apo të vrullshme. Ana tjetër e grumbullimeve shkon tek gjymtyrët funksionale të fjalisë, nisur nga predikatet që dinamizojnë ngjarjet e veprimin e fabulës romanore; grumbullimi stilistik ngjet edhe me anë të klasës së lidhëzave, ashtu si, për variacione letrare, autori sjell edhe grumbullime jolidhëzore: me numërim, me shkallëzim, sidomos për kryefjalët, kallëzuesit, kundrinat përcaktorët dhe plotësit e rrethanës. Grumbullimi i emrave, në prozën e këtij autori, me semantikë të ndryshme, çon në sinatroizëm (kur me anë emrash grumbullohen veçori a hollësi në funksion të ngjyrimit emocional), pa përjashtuar edhe funksionin e ironizimit e satirës. Edhe foljet, sipas autores sonë, janë stilogjene, kur vijnë e grumbullohen në një tekst a segment të tij, edhe sintagmat foljore po ashtu.
Brenda rrafshit të sintaksës, autorja e ndjek kërkimin në prozën e Rexhep Qosjes dhe zbulon Stilistikën e ngjyresave – shkallëzimin (f.186), ku njihemi me koncepte të tilla, si: vargu shkallëzues, efektet ligjërimore të tij, zgjerimi kuptimor – deri edhe tek përkufizimi i perifrazuar që jepet: “shkallëzimi është kalim prej një shkalle në tjetrën, me rritje apo zbritje të shkallëzuar,[18] bazuar kjo paraqitje tek aurorë të huaj: Bratoljub Klaić, Zdenko Škreb, Rikard Simeon, Osvald Dykro, Cvetan Todorov dhe në prurjet e vetë autores. Gjatë këtij shtjellimi, mësojmë përimtimet e tipologjisë së shkallëzimeve, të grupuara sipas përbërjes dhe efektit stilistik, si: shkallëzimi logjik, emocional, sasior, dhënë nga gjuhëtarja Marina Katnić-Bakaršić; shkallëzimi semantik-stilistik, shkallëzim leksikor, sintaksor, i përzier, tekstor – që realizohet në rrafshe të ndryshme gjuhësore, sidomos në hapësirën e paragrafëve, ku renditen edhe katër shkallëzime njëherësh: nga fjala, sintagma, fjalia dhe teksti. Në monografi përcaktohen edhe raportet e shkallëzimeve me: hiperbolën (më të dendura dhe më me afekt), me antoniminë, me sinoniminë, lidhjet “shkallëzim-grumbullim dhe zmadhim”, shkallëzimi dhe krahasimi, shkallëzimi dhe përsëritja; shkallëzimi tekstor me konektorë – me funksion lidhës dhe vetë shkallëzimi quhet figurë intensifikimi, përforcimi a intensiteti, që realizohet me mjete të veçanta sintaksore, shkallëzimi leksikor dhe stilistik me konektorë… Teksti letrar i Rexhep Qosjes ofron numër të madh variacionesh të gjedhes kryesore të shkallëzimit, përfundon prof. Islamaj në këtë segment stili për prozën e shkrimtarit Qosja.[19]
Edhe problemet e Anasjellës lidhen me sintaksën nëpërmjet rendit sintaksor, një shtjellim i plotë nga ana e gjuhëtares, ku lexuesi i interesuar ka çfarë të gjejë si nga ana teorike, ashtu edhe nga lënda e përzgjedhur në shkrimtarinë e R. Qoses. Te hapësira e sintaksës duhet përfshirë edhe sythi Fjalitë nistore dhe fjalitë fundore (f.398-413), në të cilën studiuesja trajton strukturat e fjalive nistore dhe atyre fundore të 5 romaneve të tij, një vështrim që autorja e lidh me përjetimin stilistik, duke i quajtur nyja të rëndësishme për strukturën poetike të romaneve të tij.[20] Këtu do të gjejmë një shtjellim të gjerë për këto fjali, në dy këto pozicione, dhe ndërtimi i tyre, sillet pranë shembujve të shumtë, fraza me shumë fjali, që u hapin rrugë fjalive në vijim, më së shumti njësi predikative vendore, kohore; ndërsa për fjalitë fundore theksohet se janë të shkurta, të thjeshta dhe japin kuptime përmbyllëse. Me anë të shembujve të shumtë, të vendosura pranë e pranë, për krahasim, autorja bën dallimet mes këtyre njësive kallëzuesore, si: karakteri i tyre shpjegues, informues, përshkrues (për nistoret); kurse fjalitë fundore dalin si përmbyllëse të tekstit paraprak, japin edhe përsëritje kuptimore të segmenteve paraprijëse. Funksioni poetik i gjuhës artistike të shkrimtarit Qosja, sipas autores, del në pah si për fjalitë nistore, ashtu edhe për ato fundore. Edhe në këtë vështrim sintaksor, studiuesja e njohur e kësaj fushe, nxjerr përfundime të pjekura për prozën romanore të autorit: “Me shkurtinë e ngjeshjen semantike të këtyre fjalive, shkrimtari dëshmon se di të rrëfejë shkurt, fare shkurt, dhe të thotë shumë.”[21]
Natyrshëm që në kufijtë e këtij përshkrimi të monografisë së Shefkije Islamajt nuk mund të sjellim shembuj të plotë, me të cilët do të kuptoheshin më mirë nga lexuesi i kësaj disipline risitë dhe prurjet e autores, por themi me bindje që, për veprat e gjuhën e stilin e shkrimtarëve që ka hartuar deri më sot kjo gjuhëtare, do të duhej një libër për secilën monografi, kushtuar shkrimtarëve të majave të letërsisë sonë: nga Xoxa, Fishta dhe Qosja.
Me këtë monografi, prof. Shefkije Islamaj ka dhënë një model të shkëlqyer të hartimit të një vepre shkencore, duke treguar edhe një përshkallëzim të punës së saj kërkimore për gjuhën e stilin e shkrimtarëve, një realizim që e rendit atë ndër albanologët më prodhimtarë në studimet e sotme akademike, në Tiranë e Prishtinë. Me aq meritë e sjell në vëmendje punën e saj prof. Xhevat Lloshi, kur shkruan: “Profesore Shefkije Islamaj ka një numër aq të pasur ndihmesash në fushën e stilistikës së shqipes; ajo është sot studiuesja më e shquar e kësaj disipline. Mjafton për këtë të shihen vetëm librat, artikujt dhe recensionet që ka botuar, të cilat qoftë nga numri, janë më shumë sesa të çdo autori tjetër në këta dhjetëvjeçarë.”[22]
Tiranë, 30 korrik 2024
[1] Xhevat Lloshi, “Shqipja qysh u është dukur? Sa e ëmbël, sa e bukur!”, Albas, Tiranë, 2016, f. 101.
[2] Rexhep Qosja, “Panteoni i rralluar”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1988.
[3] Shefkije Islamaj, “Ligjërimi, Gjuha dhe Stili – Në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2021, f. 454-495.
[4] Po ajo, po aty, f. 455.
[5] Po ajo, po aty, f. 455.
[6] Po ajo, po aty, f. 483-484.
[7] Poliptotoni – figurë retorike që realizohet me përsëritjen e fjalëve të njëjta, por në rasa të ndryshme e me funksione të ndryshme sintaksore.
[8] Paragmenoni – përsëritja e fjalëve të afërta nga ana etimologjike (shpjegon vetë autorja)
[9] Shefkije Islamaj, “Ligjërimi, Gjuha dhe Stili – Në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2021, f. 684.
[10] Po ajo, po aty, f. 710.
[11] Po ajo, po aty, f. 710.
[12] Po ajo, po aty, f. 714.
[13] Po ajo, po aty, f. 715.
[14] Po ajo, po aty, f. 726-727.
[15] Po ajo, po aty, f. 728.
[16] Po ajo, po aty, f. 738.
[17] Po ajo, po aty, f. 168.
[18] Po ajo, po aty, f. 186.
[19] Po ajo, po aty, f. 213.
[20] Po ajo, po aty, f. 400.
[21] Po ajo, po aty, f. 410.
[22] Instituti Albanologjik, “Portreti intelektual, shkencor dhe letrar, Prishtinë, 2019”: Xhevat Lloshi, “Studiuesja e shquar e stilistikës së shqipes”, f. 49 – 60.