Sheh dritën e botimit libri “Sfidat e ndërtimit të kulturës politike demokratike në Kosovë”, i autores Elife Luzha
Shtëpia botuese “Olymp”, Prishtinë, në përvjetorin e 111-të të shtetit shqiptar, njofton botimin e librit me titull “Sfidat e ndërtimit të kulturës politike demokratike në Kosovë”, të politologes Elife Luzha.
Libri ka temë qendrore sfidat e ndërtimit të kulturës politike demokratike në Kosovë, temë e palëvruar mjaftueshëm deri më sot nga autorët shqiptarë.
“Autorja godet mu në zemër të problemit: mangësitë e kulturës së sotme politike, si dhe qartëson se si mund të përçohet kultura politike demokratike në jetën politike të vendit”, thotë recensenti i librit, Mr. sc. Kastriot Myftiu.
Edhe recensenti tjetër i librit, Prof. ass. dr. Petrit Bushi, shkruan se libri Sfidat e ndërtimit të kulturës politike demokratike në Kosovë është një studim i rëndësishëm, që jep një kontribut të vlefshëm në literaturën e politikës dhe shoqërisë në Ballkan.
Libri është thirrje për ndryshim evolucionar jo në mënyrë të vetvetishme, por të vetëdijshme, me dije, frymë dhe inteligjencë.
Prandaj është i vlefshëm për studiues, studentë dhe për ata që janë të interesuar për zhvillimin politik dhe të kulturës politike demokratik në Kosovë.