Shejhët nga Kosova bëjnë lutje pas 236 vitesh në tyrben e Shejh Mustafasë në Beograd
12 besimtarë Shejhë dhe Dervishë nga Gjakova, të dielen kanë shkuar në Serbi për të bërë lutje pas 236 vitesh për Shejh Mustafanë.
Besimtarët të prirë nga Shejh Përparimi, bënë lutjet në gjuhën shqipe në tyrben e Shejh Mustafasë në Beograd.
Shejh Përparimi, tha për Insajderin se ai kishte kërkuar nga Xhelal Shqiri që është udhëheqës i Zyrës Ndërlidhëse me Serbinë, që t’u mundësojnë shkuarjen në Serbi për ta nderuar Shejh Mystafanë.
Qëllimi ishte interesant, pasi që, siç tha ai për Insajderin, i pari i fisit të tyre, që ishte Shejh Ali Kollqia e kishte kurorëzuar me titullin Shejh para shumë vitesh Shejh Mustafanë.
“Kam amanet nga të parët e familjes që të vizitoj këtë të nderuar Shejh Mustafan sepse është kurorëzuar me titullin Shejh nga i pari i trungut tonë familjar Haxhi Shejh Ali Kollqija”.
“Kemi dokumente për këtë dhe jemi duke u përpjekur t’i përkthejmë pasi që janë në gjuhën e vjetër persiane dhe po shkon pak ma me vështirësi”, ka thënë Shejh Përparimi për qëllimin e vizitës në Serbi.
Shejh Përparimi, mediave në Beograd para ritualit u kishte thënë të mos i bëjnë pyetje politike sepse është fetar dhe qëllimi i shkuarjes së tij atje ka qenë fetar.
Mirëpo, lajmet nga mediet serbe dhe ruse nuk kishin të ndalur me tituj si: “Nacionalizimi shqiptarë po përhapet dalëngadalë edhe në Serbi”, e tituj të tillë.
Madje ato u përkthyen edhe nga mediet shqiptare. Kjo gjë e ka nevrikosur mjaft shumë Shejh Përparimin.
“Jemi kthyer mbrëmë, mirë kaluam shumë por kur erdhëm në Kosovë u zhgënjyem sepse mediet kosovare kanë marrë material nga serbët, kanë marrë shkrime nga mediet serbe dhe nuk e kanë publikuar atë se çka kam folur unë dhe qëllimin e vizitës por e kanë devijuar krejt këtë vizitë”, ka thënë Shejh Përparimi për Insajderin.
12 besimtarët të tarikati Sadi përfunduan lutjet e tyre për Shejh Mustafanë pas me shumë se dy shekuj. Ata u mirëpritën nga Bashkësia Islame Serbe në krye me Muhamed Nasrin ndërsa për sigurinë e tyre u përkujdesën Policia Serbe.