“Shekulli XX” i Agron Shalës, libër enciklopedik

13 dhjetor 2024 | 21:37

Sot në ditën e tretë të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania” Prishtinë, në qendrën “Libart”, është organizuar bashkëbisedim me studiuesin, publicistin dhe artistin Agron Shala dhe është bërë përurimi i librit të tij më të ri, “Shekulli XX”, botuar nga shtëpia botuese “Drini”.

Botuesja Zyrafete Shala, e cila udhëhoqi bashkëbisedimin me të, tha se Shala në librin “Shekulli XX” ka përfshirë ngjarjet më të mëdha dhe më kryesore që për gjysmë shekulli janë shënuar nga shqiptarët në të gjitha trojet shqiptare, po ashtu ngjarjet më të mëdha historike, kulturore, teknologjike në mbarë botën. “Megjithatë, Agronit i ka mbetur ta shkruajë dhe ta botojë edhe pjesën e dytë të këtij shekulli”, tha ajo.

Ndërkaq recensenti i librit, Arsim Hamiti, tha se librin “Shekulli XX” të Shalës duhet ta ketë çdo njeri, çdo familje. “Agroni në këtë libër trajton tema të rralla, të shumta dhe të mëdha. I trajton nga perspektiva të ndryshme. ‘Shekulli XX’ është libër përplot me informacione për sfera të ndryshme. Është libër enciklopedik. Është libër i rrallë. Meqë është i tillë, duhet ta ketë çdo njeri, çdo familje, sepse secili mund të mësojë shumë prej tij”, tha Hamiti.

E autori i librit, Shala, tha se për pjesën e dytë të librit është duke punuar. Ai bëri me dije se idenë për ta shkruar këtë libër e ka pasur vetë, por e ka nxitur Arsim Hamiti, kurse ndihmë gjatë redaktimit i kanë dhënë studiuesi Daut Dauti dhe djali i Rifat Kukajt, Migjeni që, sipas tij, ka dhënë kontributin më të madh, pasi që i ka dhënë shumë sugjerime deri në ditën e botimit.

Shala falënderoi Ministrinë e Kulturës dhe Drejtorinë e Kulturës së komunës së Prishtinës për mbështetjen financiare për botimin e librit. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në ditën e tretë të Panairit të Librit të…