Shembet dheu në lagjen e ‘Muhaxherëve’, evakuohen banorët
Banorët e një rruge në lagjen e “Muhaxherëve” në Prishtinë janë rrezikuar nga shembja e dheut.
Kjo për shkak se në rrugën “Qamile Jaka” afër shtëpive ka filluar të shembet dheu. Në vendin e ngjarjes ka dal edhe kryetari Shpend Ahmeti, ndërsa është ndërprerë mësimi në shkollën “Naim Frashëri” që gjendet afër kësaj rruge.
Zyrtarët e komunës kanë thënë se shembja ka ndodhur për shkak se ka shpërthyer një gyp i ujësjellësit.
Kryetari Shpend Ahmeti, ka thënë se banorët që jetojnë në afërsi janë evakuuar, ndërsa shumë shpejt do të rrënohen shtëpitë që janë afër.
Ahmeti ka thënë se frika e madhe është nga shiu që është paralajmëruar se do të bjerë nesër, ndërsa si rrezik më të madh ai e ka konsideruar vinçin që ndodhet pranë rrugës. Ahmeti ka thënë se kushdo që e ka shkaktuar këtë dëm do ta paguajë.
Ndërsa, drejtori i Inspekcionit, Adonis Tahiri ka thënë për “Kosovapress” se shkaktar i kësaj shembje mund të jetë shpërthimi i një gypi të ujësjellësit.
Pas kësaj ngjarjeve me anë të një komunikate ka reaguar Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.
“Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’ sh.a. ( KRU) demanton deklaratat e zyrtarëve të lartë të Komunës së Prishtinës se kinse pëlcitja e gypit të ujësjellësit në lagjen e ‘Muhaxhirëve’ ka shkaktuar shembjen e dheut. Realiteti i pamohuar dhe profesional e thotë të kundërtën. Gypi i ujësjellësit ka pëlcitur për shkak të shembjes së dheut. Pas analizës se marrë nga terreni, shihet qartë se ekzekutimi i punimeve në gropën ndërtimore të objektit poshtë rrugicës, është bërë në mënyrë jo profesionale, jashtë standardeve për ndërtim dhe mbrojtje të gropës ndërtimore. Sipas njoftimit nga zyrtarët policorë në terren, shembja e dheut në gropën ndërtimore ka filluar rreth orës 23:00, ndërsa tubi ka pëlcitur pas rreth 1 orë e 30 minuta, atëherë kur dheu i shembur e ka tërhequr tubin e ujësjellësit deri ne masën që e ka shkëputur nga lidhjet”, është thënë në komunikatën e KRU “Prishtina”.