​Shëndeti mendor i fëmijëve, Qelaj: Ka mungesë të mekanizmave për identifikimin e hershëm

18 nëntor 2024 | 16:10

Në Kosovë ka mungesë të mekanizmave për identifikimin e hershëm të fëmijëve që përballen me sfida të shëndetit mendor. Kështu tregojnë të gjeturat preliminare të raportit të Institucionit të Avokatit të Popullit për shëndetin mendor të fëmijëve. Në tryezën e diskutimit ku u diskutua për këtë çështje, u theksua edhe nevoja për numër më të madh të psikologëve në shkolla.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se korniza ligjore nuk siguron ofrim të mbështetjes së specializuar dhe psikologjike në nivel të komunitetit. “Ka një mungesë të mekanizmave sistematik për identifikimin e hershëm të fëmijëve që përballen me sfida të shëndetit mendor. E dyta ka të bëjë me qasjen e kufizuar në mbështetjen e specializuar psikologjike në kujdesin parësor dhe dytësor. Korniza ekzistuese ligjore nuk siguron ofrimin e mbështetjes së specializuar dhe psikologjike në nivel të komunitetit. Sfida tjetër ose e gjetura tjetër që vazhdon të dalë si rezultat i gjetjeve të hulumtimit ka të bëjë me shërbime të pamjaftueshme të shëndetit mendor për fëmijët në nivelin dytësor. Pastaj numri i ultë i profesionistëve të shëndetit mendor, përfshirë psikiatër të fëmijëve dhe psikolog klinik, si në nivelin dytësor ashtu edhe në nivelin tretësor të kujdesit”, ka deklaruar Qelaj.

Në diskutimin për shëndetin mendor të fëmijëve, Avokati i Popullit ka potencuar edhe nevojën për numër më të madh të psikologëve në shkolla. “Stigma dhe perceptimi negativ për shërbimet në institucionet si barrierë për kërkimin e ndihmës psikologjike. Unë u interesova dhe pash që në disa hulumtime që janë kryer gati 20 për qind të fëmijëve që kanë probleme të shëndetit mendor marrin trajtim të kujdesit shëndetësor, nuk kanë një gatishmëri as tek fëmijët as tek prindërit dhe kujdestarët tjerë që të marrin një shërbim të tillë. Dhe kjo pa dyshim paraqet problem. Numri i vogël i psikologëve në shkolla që rrjedh edhe si rezultat i vet kornizës ligjore dhe përcaktimit të psikologëve në shkolla bazuar në numrin e nxënësve që shpesh herë një numër të madh të fëmijëve i len pa përfshirje të këtij kujdesi”, ka theksuar Avokati i Popullit.

Në diskutimin për shëndetin mendor të fëmijëve, shefja e Psikiatrisë së Fëmijëve në QKUK ka kritikuar institucionet sa i përket ndarjes së buxhetit për fëmijët dhe adoleshentët. “Fillimisht kemi një shkelje flagrante të Ligjit qysh në themelimin e dokumenteve, për arsye se fëmijët dhe adoleshentet përbëjnë një popullatë vurnerabel dhe nuk mund të përfshihen në planet strategjike për të rritur. D.m.th plani strategjik i cili po krijohet aktualisht nuk ka asnjë përfaqësues të fëmijëve dhe të adoleshenteve, që i bie 0-18 vjet. Buxheti është zero për 24 vite. Çdo plan strategjik nuk parashikon buxhet për fëmijët dhe adoleshentet”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, Merita Bajraktari Januzi nga Ministria e Arsimit tha se po punohet në funksion të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Në këtë tryezë diskutimi për shëndetin mendor të fëmijëve kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Qendrat për Punë Sociale, Policia e Kosovës, e Ministria e Drejtësisë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sezoni i ftohtë ka nisur. E konsumi i energjisë është…