Shengen brendashqiptar, jo shlyerje të kufijve shqiptaro-serbë
Shkrimtari dhe publicisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Kim Mehmeti, ka kritikuar rëndë idenë e minishengenit ballkanik.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se duhet të jesh injorant i pashoq që të besosh se Ballkanin pa kufij mund ta realizosh me burrështetasit serbë të dalë nga kapota e Millosheviqit.
Mehmeti ka bërë me dije se Shqipëria duhet të merret me shengenin brendashqiptar e jo me shlyerje të kufijve shqiptaro-serbë.
Sipas tij, me këtë veprim shqiptarëve u përcillet porosia se bashkimi kombëtar kalon nëpërmjet Beogradit.
Në këtë intervistë Mehmeti ka folur edhe për zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë dhe për negociatat që po zhvillojnë LV-ja dhe LDK-ja për formimin e qeverisë së re.
“Epoka e re”: Z. Mehmeti, pavarësisht prej premtimit, BE-ja nuk ua hapi bisedimet për anëtarësim Maqedonisë dhe Shqipërisë. Si e keni parë këtë qëndrim të BE-së?
Mehmeti: BE-ja nuk është as atë që ne mendojmë për të, as atë që ajo mendon për vetveten dhe që do të tregohet se është. Ajo është bashkësi shtetesh ku i ke të gjitha: nga ksenofobia e anti-islamizmi, deri te humanizmi dhe vlerat më të larta njerëzore, kështu që as ajo vetë nuk e ka të qartë se cila është fytyra e saj e vërtetë. Madje shpeshherë BE-ja duket si e zënë rob nga miti për vetveten. Dhe moshapja e bisedimeve me Maqedoninë e Shqipërinë thuajse e shpërfaq paqartësinë që BE-ja ka ndaj vetvetes, e jo ndaj vendeve që janë jashtë kufijve të saj.
E them këtë sepse pas anëtarësimit të Bullgarisë, Rumanisë… në BE nuk ka vend të Ballkanit që nuk e meriton të jetë pjesë e këtij unioni. Dhe e them këtë sepse kam përshtypjen se të joshur nga një BE e paramenduar – pra, jo nga ajo që me të vërtetë është, por nga ajo që e paragjykojmë, ne nuk shohim se për shumëçka ajo është njësoj si ne: me plot paragjykime, mosbesim e mosdurim ndaj të tjerëve. Në ndërkohë nuk duhet harruar se vendet e Evropës Perëndimore i rrënuan kufijtë mes vete, me çka dëshmuan se nuk janë pengë i kohëve kur ato mure u ngritën nga gjaku i rinisë së tyre, por nga rrënojat e kufijve të tyre ato ngritën murin e lartë të shengenit, i cili mur kontinentin e ndau në pjesën ku jetonin të “mirët” dhe atë ku banojmë ne të “këqijtë” e Evropës, në ata që e jetonin të sotmen e kontinentit dhe ata që mbeten në baltën e së kaluarës së tyre. Me çka u krijua një gropë ndarëse mes Evropës Perëndimore dhe Ballkanit, një humnerë e cila ua pamundësonte ballkanasve të shohin se edhe shekulli i njëzetenjë i këtij kontinenti, shenjë njohëse ka ndasitë dhe kufijtë që të tregojnë nga cila anë e murit e ke vendin.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotën të gazetës “Epoka e re”)