Shengen brendashqiptar, jo shlyerje të kufijve shqiptaro-serbë
Shkrimtari dhe publicisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Kim Mehmeti, ka kritikuar rëndë idenë e minishengenit ballkanik.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se duhet të jesh injorant i pashoq që të besosh se Ballkanin pa kufij mund ta realizosh me burrështetasit serbë të dalë nga kapota e Millosheviqit.
Mehmeti ka bërë me dije se Shqipëria duhet të merret me shengenin brendashqiptar e jo me shlyerje të kufijve shqiptaro-serbë. Sipas tij, me këtë veprim shqiptarëve u përcillet porosia se bashkimi kombëtar kalon nëpërmjet Beogradit.
Në këtë intervistë Mehmeti ka folur edhe për zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë dhe për negociatat që po zhvillojnë LV-ja dhe LDK-ja për formimin e qeverisë së re
“Epoka e re”: Z. Mehmeti, pavarësisht prej premtimit, BE-ja nuk ua hapi bisedimet për anëtarësim Maqedonisë dhe Shqipërisë. Si e keni parë këtë qëndrim të BE-së?
Mehmeti: BE-ja nuk është as atë që ne mendojmë për të, as atë që ajo mendon për vetveten dhe që do të tregohet se është. Ajo është bashkësi shtetesh ku i ke të gjitha: nga ksenofobia e anti-islamizmi, deri te humanizmi dhe vlerat më të larta njerëzore, kështu që as ajo vetë nuk e ka të qartë se cila është fytyra e saj e vërtetë. Madje shpeshherë BE-ja duket si e zënë rob nga miti për vetveten. Dhe moshapja e bisedimeve me Maqedoninë e Shqipërinë thuajse e shpërfaq paqartësinë që BE-ja ka ndaj vetvetes, e jo ndaj vendeve që janë jashtë kufijve të saj.
E them këtë sepse pas anëtarësimit të Bullgarisë, Rumanisë… në BE nuk ka vend të Ballkanit që nuk e meriton të jetë pjesë e këtij unioni. Dhe e them këtë sepse kam përshtypjen se të joshur nga një BE e paramenduar – pra, jo nga ajo që me të vërtetë është, por nga ajo që e paragjykojmë, ne nuk shohim se për shumëçka ajo është njësoj si ne: me plot paragjykime, mosbesim e mosdurim ndaj të tjerëve. Në ndërkohë nuk duhet harruar se vendet e Evropës Perëndimore i rrënuan kufijtë mes vete, me çka dëshmuan se nuk janë pengë i kohëve kur ato mure u ngritën nga gjaku i rinisë së tyre, por nga rrënojat e kufijve të tyre ato ngritën murin e lartë të shengenit, i cili mur kontinentin e ndau në pjesën ku jetonin të “mirët” dhe atë ku banojmë ne të “këqijtë” e Evropës, në ata që e jetonin të sotmen e kontinentit dhe ata që mbeten në baltën e së kaluarës së tyre. Me çka u krijua një gropë ndarëse mes Evropës Perëndimore dhe Ballkanit, një humnerë e cila ua pamundësonte ballkanasve të shohin se edhe shekulli i njëzetenjë i këtij kontinenti, shenjë njohëse ka ndasitë dhe kufijtë që të tregojnë nga cila anë e murit e ke vendin.
“Epoka e re”: Po ashtu, BE-ja është duke zvarritur liberalizimin e vizave për Kosovën. Çfarë mesazhi po dërgon BE-ja për rajonin me këto veprime?
Mehmeti: Shtetet e Unionit Evropian dhe Ballkani janë dy portretet e të njëjtës zonjë të plakur. Shtetet perëndimore të Evropës dhe ato të Ballkanit janë si fytyra e grimuar dhe ajo e natyrshmja e të njëjtës zonjë, e cila nuk arrin ta fshehë të kaluarën e vet jo të moralshme dhe nuk ia del të përballet as me të sotmen e ndërtuar duke përdorur standarde të dyfishta. Dhe sot kur BE-ja i hoqi vizat për të gjithë ballkanasit, përpos për shqiptarët e Kosovës, ajo vetëm e tregon dyfytyrësinë e saj. Zvarritja e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, më bindshëm se çfarëdo qoftë tjetër, e dëshmon se në Evropën Perëndimore dhe humane shumëçka ndryshon dhe korrigjohet, përpos mendësisë që prodhon standarde të dyfishta, mendësisë e cila, mbase, edhe solli deri tek ajo që fundi i shekulli të njëzetë, për këtë kontinent, të ketë të njëjtat shenja njohëse si edhe fillimi i tij: të fillojë me beteja të përgjakura dhe të përfundojë me varreza masive që i la pas vetes ushtria serbe e Millosheviqit. Fillim dhe fund që dallojnë vetëm në një gjë: përderisa gjatë luftërave të fillimshekullit të njëzetë, Evropa qartë kishte përcaktuar kufirin që ndante viktimën nga xhelati, ato të fundshekullit që përgjakën Ballkanin ajo i shpalli si çmenduri kolektive e të gjithë popujve të këtyre hapësirave. Me çka barazoi të pamundshmen – viktimën me xhelatin. Dhe ajo BE, para syve të së cilës ushtarakët serbë i ndanin të rinjtë dhe baballarët boshnjakë e shqiptarë nga nënat dhe gratë e tyre që t’i pushkatonin, sot ka hequr vizat për qytetarët serbë, por jo edhe për kosovarët?! Pra, kjo Evropa e sotme tregohet humane dhe e kujdesshme ndaj qytetarëve të Serbisë, ndaj atyre në emër të të cilëve Millosheviqi e përgjaku Ballkanin dhe vendosi t’i mbajë dyert e mbyllura për qytetarët e Kosovës. Pra, t’i mbajë matanë murit të shengenit ata të cilët, duke dashur të shpëtonin nga shfarosja fizike, u shpërndanë anembanë botës. Me shndërrimin e Kosovës në një ‘gropë’ nga e cila nuk dilet, BE-ja u tregua jo vetëm e padrejtë, por se është më e kujdesshme ndaj të “keqit” të cilin do ta bëjë të mirë sesa ndaj të “mirit” që nuk ka zgjidhje tjetër përpos se t’i përulet asaj.
“Epoka e re”: Së fundmi, Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia kanë iniciuar idenë e një shengeni ballkanik. Cili është mendimi juaj për këtë iniciativë rajonale, e cila është kundërshtuar nga Kosova?
Mehmeti: Ideja për Ballkanin pa kufij është e vjetër aq sa edhe orvatjet serbe që Beogradi të jetë kryeqytet i këtyre hapësirave. Pra, ideja për një ‘Serbosllavi’ që do ta bashkojë Ballkanin Perëndimor, e ku bën pjesë edhe nisma e tanishme për “Shengenin e Ballkanit”, kurrë nuk ka pasur për qëllim të realizojë atë që thuhet, por atë që mendohet. Andaj, duhet të jesh o injorant i pashoq, o pervers politik që të besosh se Ballkanin pa kufij mund ta realizosh me burrështetasit serbë të dalë nga kapota e Millosheviqit, me ata që ‘Kasapin e Ballkanit’ nuk e mallkojnë pse i përgjaku këto hapësira, por pse i humbi betejat, pse nuk e realizoi projektin e ‘Serbisë së Madhe’ dhe pse nuk i shfarosi shqiptarët e këtushëm dhe myslimanët e Bosnjës. Pra, me ata që nuk duan as t’u kërkojnë falje shqiptarëve për krimet që ua bënë në emër të popullit serb. Me një fjalë, duhet të kesh probleme të mëdha mendore e politike që si burrështetas shqiptar të mos merresh me ‘Shengenin brendashqiptar’, por me shlyerjen e kufijve shqiptaro-serbë. Me çka popullit tënd ia përcjellë porosinë se bashkimin i tij kombëtar kalon nëpërmjet Beogradit dhe se ai bashkim është i pamundur pa mbështetjen e Serbisë!? Pra, se shqiptaria e bashkuar kryeqytet e ka Beogradin!
“Epoka e re”: Zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë sollën fitoren e LV-së. Çka ndikoi në sjelljen e këtij rezultati?
Mehmeti: Fitorja e LV-së në zgjedhjet e 6 tetorit shpërfaq lodhjen e Kosovës nga korrupsioni, keqqeverisja dhe hajdutokracia. Fitorja e LV-së tregon se Kosova do t’i ndëshkojë burrështetasit e deritanishëm të saj që shkelën mbi ëndrrat e rinisë, ata që e bënë Kosovën të duket si vend që nuk ia del ta jetojë lirinë dhe që nuk di të bëhet shtet. Andaj Lëvizja Vetëvendosje ka mundësinë të bëhet fytyra e mençurisë politike mbarëshqiptare, por vetëm nëse arrin që Kosovën ta bëjë atë që të gjithë e ëndërronim – shtet të mirë për qytetarët, e jo për politikanët. Pra, LV-së i është dhënë mundësia të tregojë se çka e dallon partinë që i shërben popullit e shtetit nga ajo që i sundon ato. Dhe kryetari i LV-së ka mundësinë t’i tregojë mbarë shqiptarisë se çka e dallon politikanin që i është përkushtuar idesë dhe të mirës kombëtare nga ata që të mirën dhe fatin e popullit e barazojnë me karrierën e tyre politike dhe me mirëqenien e vet personale.
“Epoka e re”: LV-ja ka filluar bisedimet me LDK-në për formimin e qeverisë së re. Si e shihni një qeverisje nga këto dy parti?
Mehmeti: E di se politika është art i së mundshmes, se për të më shumë vlerë ka pragmatizmi sesa parimet të cilat nuk i shkelur njeriu. E them këtë sepse unë nuk shoh ndonjë dallim të madh mes partive që gjatë kohë e kanë sunduar Kosovën, mes të cilave është edhe LDK-ja. E them këtë sepse, sikur të pyetesha unë, kurrë nuk do të bëja koalicion as me këtë parti. Mua më janë irrituese disa qëndrime e kushtëzime të LDK-së, e cila, në vend se ta falënderojë LV-në që do t’ia mundësojë shpëlarjen e pisllëkut politik nga e kaluara, ende bënë naze e shitet e “virgjër”. Edhe më tej besoj se si do që të bashkëpunojnë mes vete, mes LV-së dhe LDK-së do të mbetet dallimi që ato i ndanë po aq sa edhe qiellin e tokën: LV-ja e di si i ndihmohet dhe si i shërbehet Kosovës, e LDK-ja e di si sundohet e si zhvatet ajo. Pra, nuk do të jetë bashkëpunim i lehtë sepse LV-ja e sheh Kosovën si vend të cilit gjithmonë i kanë munguar burrështetas që do t’i shërbenin asaj, e LDK-ja si shtet të cilit i mungojnë sundues që do të vazhdojnë ta zhvatin atë.
Sipas meje, drejtuesit e LDK-së thuajse me asgjë nuk dallojnë nga ata të ‘Klanit Pronto’. Pastaj, siç duket, drejtuesit e saj kanë mendësi politike ‘serbe’, andaj atë që nuk mund ta arrijnë me votë, e realizojnë nëpërmjet shantazhit. Dhe duke qenë të tillë, ata janë mësuar që gjithmonë, dhe me cilindo, të jenë pjesë e qeverisë. Si dhe të sillen thuajse kurrë nuk e kanë drejtuar Kosovën dhe se nuk janë nga ata që vendit ia morën të gjitha, e thuajse nuk i dhanë asgjë.
“Epoka e re”: Cilat duhet të jenë prioritetet kryesore të qeverisë së re?
Mehmeti: Më mbivlerësoni nëse besoni se mund ta njoh realitetin kosovar më mirë se ju që jetonin atje, por ajo që shihet edhe nga këtu ku jetoj, ka të bëjë me ikjen e të rinjve nga të gjitha trojet shqiptare dhe jo vetëm nga Kosova. Andaj e para që duhet ta bëjë Qeveria e re e Kosovës është ta ngjallë te të rinjtë besimin se asnjë vend tjetër nuk të jep aq sa vendlindja. Për ta arritur këtë Kosova do duhet t’i shpjegojë vetvetes, edhe mbarë shqiptarisë, pse i ndodhi që edhe pas çlirimit të ketë burgje si ato të Millosheviqit, ku ‘vetëvriteshin’ shqiptarët. Pastaj Kosova duhet të shpjegojë si është e mundur që edhe pas çlirimit të ketë një sistem të organizuar policor, prokurorial e shtetëror, që me aq lehtësi rastet e vrasjeve i shpallë vetëvrasje.
Që Qeveria e re e Kosovës të dëshmohet se sjellë edhe mendësi ndryshe të drejtimit të shtetit, do të duhej të përgjigjej pse Presidenti i saj me aq lehtësi sot flet për vrasjet që kanë bërë të tjerët dikur e që ai i ka heshtur deri më tani?! Si dhe pse, për shembull, drejtuesve të LDK-së u kujtohen aktivistët e vrarë të partisë së tyre vetëm kur janë në opozitë, e jo edhe kur janë në koalicion qeverisës me ‘Klanin Pronto’? Pasi t’u përgjigjet këtyre pyetje dhe pasi të shpjegojë pse mbeti shtet, ku ndodh edhe të të vrasin për pushtet, Kosova do ta kuptojë se deri në zgjedhjet e paradokohshme parlamentare ajo ishte duke e vuajtur robërinë e atyre që e sundonin me mendësinë millosheviqiane. Pra, do ta kuptojë se duhet ta nisë betejën për t’u çliruar nga robëria e mendësia politike që të shpallë armik dhe terrorist vetëm pse ka rrezik ta shpalosësh fytyrën e maskuar të pushtetarëve hajdutë dhe kriminelë.
Muhamet KOCI