Shengeni serbo-centrik ose Ballkani midis Euro-Atlantizmit dhe Euro-Azisë
Prof. Lisen BASHKURTI
Schengeni Ballkanik, i firmosur pak ditë më parë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të shfrytëzohet nga Serbia dhe Rusia si një paradhomë për të rrëshqitur Ballkanin Perëndimor drejt Unionit Euro-Aziatik me Rusinë në krye. Kjo lëvizje alarmante buron nga vetë përmbajtja strategjike e Shengenit serbo-centrist tre palësh, që është as më shumë dhe as më pak një ide e vjetër me mbulesa të reja, është një doktrinë Ruso-Serbe me terminologji Euro-Perëndimore, pra është mballomë Perëndimore në thesin e shqyer të muzhikut rus.
- Shengeni serbo-centrist injoron MSA-n dhe Shengenin Evropian
Thelbi i Shengenit Ballkanik serbo-centrik nuk mund të krijojë kurrfarë federate jugosllave në Ballkan, as me doktrinat e vjetra dhe as me termat e reja, as me gjuhë diplomatike të MSA-së dhe as me modele Schengeni Europian. MSA-ja e kanë firmosur dhe ratifikuar treshja Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni e Veriut, të cilët janë edhe pjesë e marrëveshjes së Shengenit. Si pjesë e MSA, treshja Serbi-Shqipëri-Maqedoni e Veriut gëzojnë benifitet dhe kanë detyrimet prej saj, që lidhjen me tre lëvizje të lira: lëvizjen e mallrave, të shërbimeve dhe kapitaleve, pra integrimin e tregut me atë të BE. Ndërsa si pjesë e Marrëveshjes Shengen, treshja Serbi-Shqipëri-Maqedoni e Veriut përfitojnë dhe kanë detyrime që lidhen me lëvizjen e lirë të njerëzve në hapësirën e Shengenit, sipas rregullave që parasheh kjo marrëveshje për vendet kandidate për në BE.
Pra, me pak fjalë, duke qenë pjesë e MSA-së dhe e Schengenit, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë as çfarë shtojnë dhe as çfarë heqin mbi termat e tyre. Në kuadrin juridik e institucional të Bashkimit Evropian, MSA dhe Schengeni janë instrumente normative që, së bashku, rregullojnë katër lëvizjet e lira: të mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe njerëzve. Mirëpo, këto akte normative evropiane, sikundër parimet dhe vlerat evropiane përgjithësisht, nuk respektohen plotësisht në Ballkan.
Kjo frymë anti-normative e Ballkanit ka të bëjë me kulturën anti-juridike dhe filozofinë antieuropiane të lidershipeve dhe administratave ballkanike tash njëqind vjet. Lidershipet dhe administratat Ballkanike historikisht kanë firmosin pa hezitim aktet juridike evropiane, por gjithashtu, po aq historikisht i kanë injoruar duke shkelur apo duke i gjymtuar ato, sidomos në aspektet e marrëdhënieve të fqinjësisë dhe të bashkëpunimit rajonal.
- Shengeni serbo-centrist minon fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin Ballkanik
Synimi real i “Shengenit Ballkanik Serbo-Centrist” është i dëmshëm dhe shumë i rrezikshëm për Kosovën, për Ballkanin dhe mbarë BE. Është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për Kosovën sepse ka për qëllim izolimin e saj nga proceset Ballkanike si shtet i pavarur dhe sovran, lënien e saj në kuadër të politikave të Serbisë, heqjen e pakushtëzuar të taksës së saj mbi importet Serbe dhe krijimin e raporteve tërësisht të zhbalancuara për Kosovën në kuadër të dialogut të pritshëm për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Schengeni Ballkanik” është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për Ballkanin, sepse synimi dhe formati i tij do të ngjallë problemet e rivaliteteve fqinjësore në Ballkan dhe do dëmtojë frymën rajonale të bashkëpunimit. “Schengeni Ballkanik serbo-centrist” duke rivënë Serbinë në qendër të Ballkanit Perëndimor do t’i mbajë të ngrira problemet serioze me fqinjët e saj dhe do krijojë premisa dominimi Serb mbi pjesën e Ballkanit Perëndimor. Këtë synim Serb e kanë kuptuar mirë Mali i Zi, Bosnje Hercegovinë, Kroacia, të cilët qëndruar mënjanë kësaj nisme.
Mbi të gjitha “Schengeni Ballkanik serbo-centrist” është i dëmshëm dhe i rrezikshëm edhe për mbarë Europën dhe Euro-Atlantizmin. Në thelb ky lloj Schengeni serbo-centrist tenton t’i hapë portat Rusisë. Sa kohë politika dhe gjeostrategjia serbe është bivektorëshe Euro-Ruse, lypet të kuptohet se çdo hap i Serbisë me fqinjët, Ballkanin dhe Evropën i hap rrugën Rusisë për të depërtuar dhe për të rritur praninë dhe ndikimin në fqinjët e Serbisë, në Ballkan dhe në mbarë Evropën.
Tanimë, Serbia duket se po luan si “Kali i Trojës“ i Rusisë në Ballkan dhe në Evropë. Schengeni serbo-centrist është një hap konkret e Serbisë për të krijuar një hapësirë gjeopolitike dhe gjeostrategjike Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo po ndodh në një kohë kur NATO po rritë veprimet e saj strategjike anti-Ruse ndërsa Bashkimi Evropian po ashpërson strategjinë kundër ofensivës ruse në Evropë.
- Shengeni serbo-centrist rrëshqitje drejt Unionit Ekonomik Euro-Aziatik
Më 20 gusht 2019, ambasadori rus në Serbi, Aleksander Botsan-Kharchenko, deklaroi se Serbia pritet që të firmosë më 25 tetor të këtij viti paktin e tregtisë së lirë me Unionin Ekonomik Euro-Aziatik (EAEU) të udhëhequr nga Moska. Sipas Ambasadorit Kharchenko, ky është një eveniment shumë sinjifikativ, prandaj edhe media po i kushton një rëndësi të madhe. Kharchenko thekson se hyrja e Serbisë në zonën e tregtisë së lirë do të shënojë një “faqe tërësisht të re të pranisë së Serbisë në Euro-Azi, duke hyrë në një treg më një kapacitet me mbi 182 milion konsumatorë dhe me një prodhim të brendshëm bruto me më shumë se 1.9 trilion dollarësh”.
Unioni Ekonomik Euro-Aziatik është themeluar në vitin 2015, dhe përbëhet nga Rusia, Armenia, Kazakistani dhe Kirgistani. Serbia, si një aleat jetësor i Rusisë, bazuar në lidhje fetare dhe kulturore prej shumë vitesh nuk heq dorë, por, përkundrazi po i ripërtërin dhe po i zgjeron marrëdhëniet me Moskën, në planin politik, diplomatik, ekonomik, tregtar dhe strategjik e ushtarak. Ndërkohë, Serbia vazhdon përpjekjet e saj, natyrisht jo fort të zellshme, për t’iu bashkuar anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe për të ndërtuar marrëdhënie të mira me Shtetet e bashkuara të Amerikës. Qartësisht, Serbia po ndjek një politikë bivektorëshe: Euro-Perëndimore dhe njëkohësisht Euro-Aziatike, ose më saktësisht Euro-Ruse.
Rusia është tejet e interesuar që të ketë një aleat të vjetër dhe të qëndrueshëm brenda Bashkimit Evropian. Kjo i nevojitet Putinit për tre arsye kryesore: së pari, për imazh dhe propagandë të suksesit të penetrimit të Rusisë në Perëndim për konsum politik të brëndshëm dhe Rajonal; së dyti, për të zgjeruar praninë dhe influencën në rritje në Ballkan dhe; së treti, por gjithashtu për ta përdorur Serbinë, just in case, si instrument bllokues i vendimmarrjeve politike të mbarë BE-së në qasjet ndaj Rusisë.
Bashkimi Evropian e ka parë me shqetësim këtë lojë dyfishe të Serbisë, por ka qenë i pafuqishëm për ta parandaluar atë. Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeu, duke shprehur në mënyrën e tij shqetësimin e ShBA për politikën bivektoriale të Serbisë, e inkurajoi presidentin Serb, Vuçiq në takimin e tij në Nju Jork më 20 gusht 2019, që… “të fokusohej në qëllimin strategjik (të integrimit në Bashkimin Evropian) duke përshpejtuar reformat e brendshme dhe përmbyllur negociatat me Kosovën, bazuar në njohjen reciproke”(Morgan Ortagus, zëdhënës i Departamentit të Shtetit ShBA).
- Ballkani, tri fazat drejt të shkuarës
Bashkimi Evropian dhe ShBA vijojnë të tentojnë ta tërheqin, me rrugë e forma të ndryshme Serbinë drejt orientimit strategjik Europian dhe Euro-Atlantik. Por, pavarësisht kësaj lojë diplomatike, Serbia vijon me fanatizëm të dukshëm politikën e saj bivektoriale Euro-Atlantike dhe një kohësisht Euro-Aziatike. Madje, kohët e fundit balanca e orientimit të Serbisë duket se po anon më shumë drejt Euro-Aziatizmit. Kjo duket në faktin, se pas firmosjes së marrëveshjes strategjike për programe të përbashkëta ushtarake si dhe për blerje armatimesh nga Rusia, Serbia po shkon së shpejti për të firmosur hyrjen në Unionin Ekonomik Euro-Aziatik me Moskën në krye. Pra, po institucionalizohet bashkëpunimi dypalësh Serbo-Rus dhe bashkëpunimi shumëpalësh Serbo-Euro-Aziatik.
Vështruar në këtë kontekst duhet parë dhe analizuar edhe Shengeni Serbo-centrist Ballkanik i Novi Sadit, përmes të cilit Serbia synon njëkohësish që t’i hapë portat pranisë dhe ndikimit Rus në Ballkanin Perëndimorë si dhe ta rrëshqasë gradualisht këtë pjesë të dobët, të pastabilizuar dhe të fragmentuar të Ballkanit drejt orientimit bivektorial Euro-Atlantik dhe njëhëherazi Euro-Aziatik. E pafuqishme për t’i shkëputur tërësisht vendet e Ballkanit Perëndimorë nga aspiratat Euro-Atlantike, Rusia Putiniste, po synon që së paku të arrijë të diversifikojë orientimet strategjike të këtyre vendeve, sa Euro-Atlantike, po aq edhe Euro-Aziatike. Ky diversifikim, ose kjo përçarje e kohezionit Euro-Atlantik e Ballkanit Perëndimorë, padyshim që do të përdoret nga Rusia në momentet konjukturalisht të përshtatshme për interesat e saj.
Pra, strategjia Ruse në Ballkanin Perëndimorë synon të realizohet nëpërmjet tre fazave: në fazë afatshkurtër, në prishjen e kohezionit Euro-Atlantik; në fazë afatmesme, në diversifikimin midis Euro-Atlantizmit dhe Euro-Aziatizmit; dhe në fazë afatgjatë në rikthimin e dominimit Rus në Ballkanin Perëndimorë, ose kthimi në të shkuarën. Agresiviteti Rus, dobësitë e BE, dilemat e ShBA dhe në mënyrë të veçantë shërbimi i devotshëm Ruso-fil i Serbisë, e lehtësojnë realizimin e mundshëm të strategjisë Ruse në Ballkanin Perëndimorë. Shengeni Serbo-centrist Ballkanik është një investim Serbo-Rus drejt të shkuarës.