Shënime për kuptimin e fjalës “post-“
Nga: Jean-François Lyotard
Milwaukee, më 1 maj 1985
Me kënaqësi do të t’i kisha thënë disa vrojtime që i dedikohen ekskluzivisht hetimit të disa problemeve të caktuara që kanë të bëjnë me fjalën “postmodernja”, pa dëshirë që t’i zgjidh ato. Këtë nuk e bëj nga shkaku të përmbyllet shqyrtimi, por me qëllim që ai të marrë asi kahje që të shmangen konfuziteti dhe mospërcaktueshmëria. Do të kënaqem duke theksuar tri pika:
1. Mbi të gjitha, antitezën e postmodernes dhe modernes ose lëvizjes moderniste (1910-1945) në arkitekturë. Sipas Portoghesit, përthyerja e postmodernes ndërlidhet me eliminimin e hegjemonisë të gjeometrisë së Euklidit, ashtu siç është fisnikëruar, për shembull, në poezinë plastike të De Stijlit. Sipas Gregottit, dallimi modernja/postmodernja është theksuar më mirë në këtë fjali: humbje e lidhjes së ngushtë që ndërlidhte projektin e modernes në arkitekturë me idenë e realizimit progresiv të emancipimit shoqëror e individual gjatë zhvillimit të njerëzimit. Arkitekturës së postmodernes i shihet për të madhe se ka krijuar një sërë modifikimesh të vogla në hapësirën e trashëguar nga modernja dhe se ka braktisur rekonstruktimin global të hapësirës ku jeton njerëzimi. Në këtë kuptim, është hapur perspektivë në peizazh të gjerë: horizonti i universalitetit a universalizmit të emancipimit të përgjithshëm që ofron këndshikimi i njeriut të postmodernes, veçmas këndshimi i arkitektit, më nuk ekziston. Zhdaravitja e Idesë për progresin në racionalitet dhe në liri do ta sqaronte në njëfarë mënyre “tonin”, stilin ose metodën specifike të arkitekturës postmoderne. Do të thosha: njëlloj shitjeje mendsh, plot citate, elemente të huazuara nga stilet a periudhat e mëparshme, klasike a moderne, kujdes i vogël për rrethin, etj.
Vërejtje për një qëndrim të tillë: post në fjalën postmoderna është kuptuar në aspektin e rrjedhës normale, të sekuencës diakronike të periudhës ku veçohet secila për vete. Post shënon diç si kthesë: drejtim i ri pas atij të mëparshmit.
Ideja e tillë e kronologjisë lineare është e përkryer në kuptimin modern. Ajo njëkohësisht i takon edhe krishtenizmit, kartezianizmit, jakobinizmit: meqë ne po aplikojmë diç krejtësisht të re duhet kthyer akrepat në zero. Vetë ideja e modernes është në korelacion të ngushtë me parimin se është e mundshme dhe e domosdoshme shkëputja me traditën dhe vendosja absolutisht e një jete të re dhe e një mënyre të re të të menduarit. Sot dyshohet në atë se “shkëputja” e tillë është më shumë mënyrë që të harrohet a të zmbrapset e kaluara, gjegjësisht të mos përsëritet ajo, sesa që ajo të tejkalohet.
Do të thosha se të cituarit e elementeve nga arkitekturat e mëhershme në arkitekturën e “re” imponohet nga procedura e përdorimit analog të gjërave të ditës të cilat nga jeta kanë kaluar në ëndrra, mu ashtu siç e shpjegon këtë Freud në Traumdeutung. Fati i këtillë i përsëritjes e/ose citimit, qoftë nëse atë e shikojmë me ironi ose me cinizëm, gjithsesi është i hetueshëm në momentin kur shikojmë rrjedhat që dominojnë sot në pikturë me emrin e transavangardizmit, neoekspresionizmit, etj. Kësaj çështjeje do t’i kthehem sërishmi.
2. Duke u nisur kështu nga “postmodernja” në arkitekturë, kam ardhur deri te konotacioni i dytë i shprehjes “postmodernja” dhe më duhet të ta pranoj se nuk më është i huaj moskuptimi i saj. Ideja e përgjithshme është triviale: mund ta shikojmë dhe mund ta restaurojmë njëlloj rënie të besimit të cilën e investuan perëndimorët gjatë dy shekujve të fundit në parimin e progresit të përgjithshëm të njerëzimit. Kjo ide për progres të mundshëm, të sigurtë apo të domosdoshëm, është ngulitur në sigurinë se zhvillimi i artit, i dijes dhe i lirisë do t’i shërbejë gjithë njerëzimit. Dhe, njëmend, gjatë shekullit XIX dhe XX, janë shtruar pyetjet rreth asaj se cili subjekt është bërë njëmend pre e mungesës së zhvillimit: i varfëri, punëtori a analfabeti. Ka pasur polemika, bile edhe luftëra, mes liberalëve, konservatorëve dhe “së majtës” rreth asaj se cili është emri i vërtetë me të cilin duhet quajtur subjektin të cilit duhet t’i ndihmojmë në emancipim. Të gjitha këto tendenca janë përputhur në të besuarit se iniciativat, inovacionet dhe institucionet kanë mu aq legjitimitet sa ndihmojnë emancipimin e njerëzimit. Pas këtyre dy shekujve të kaluar jemi bërë më të kujdesshëm ndaj shenjave që paralajmërojnë lëvizje të kundërt. Edhe liberalizmi ekonomik e edhe liberalizmi politik dhe marksizmat e ndryshëm gjatë këtyre dy shekujve të përgjakshëm ia kanë imputuar vetvetes akuzën për krim kundër njerëzimit. Mund të numërojmë një sërë emrash, vendesh, personash e datash që mund ta ilustrojnë dhe vërtetojnë dyshimin tonë. Pas Theodor Adornit kam përdorur emrin Auschwitz pwr të shpjeguar se sa është materia e historisë bashkëkohore perëndimore jokonsekuente kur është fjala për projektin “modern” të emancipimit të njerëzimit.
Kush është i aftë të “zbulojë” Auschwitzin në kuptim të fjalës aufheben, duke e vendosur atë në procesin e përgjithshëm, empirik e bile edhe spekulativ të drejtuar nga emancipimi universal? Në Zetigeist ekziston njëlloj pikëllimi. Ai mund të shprehet përmes sjelljes reaktive, më saktë reaksionare, ose përmes utopive, por assesi me orientimin që pozitivisht do të hapte perspektivë të re. Zhvillimi shkencor-teknik është bërë mjet për shtimin, e jo për zbutjen apo zhdukjen e varfërisë. Zhvillimin më nuk mund ta quajmë progres. Me gjasë zhvillimi rrjedh vetvetiu, përmes forcës autonome dhe lëvizshmërisë që nuk varen nga ne. Zhvillimi i tillë nuk i përgjigjet kërkesave që dalin nga nevojat njerëzore. Mu e kundërta, qenia njerëzore, ajo individuale dhe shoqërore, si duket gjithnjë është destabilizuar me rezultatet e zhvillimit të tillë dhe të pasojave të tij. Dua të them: jo vetëm me rezultatet materiale, por me ato intelektuale e mendore. Duhet thënë se njerëzimi është në vrap pas procesit të akumulimit të lëndëve të reja të praktikës dhe të të menduarit.
Po e kupton se më është shumë e rëndësishme të di se pse ndodh kompleksifikimi. Do të thosha se ekziston një si fat, si përcaktim i vetëvetishëm për gjendje sa më të komplikuar. Kërkimi ynë për siguri, për identitet dhe për fat që rrjedh nga gjendja jonë e drejtpërdrejtë si qenie të gjalla, e edhe shoqërore, sot nuk duket aspak i qëlluar karshi këtij veprimi të kundërt me kompleksifikimin, çlirimin, numërimin dhe sintetizimin e të gjitha këtyre objekteve, e veç kësaj edhe me modifikimin e masave të tyre. Ne, sa i përket botës shkencoro-teknike, jemi sikur Guliveri; herë tepër të mëdhenj, herë tepër të vegjël – kurrë ashtu siç duhet. Në këtë aspekt, kërkimi i përkorshmërisë sot duket, kryesisht, si premtim i barbarizmit.
Për shkak të kësaj që u tha, do të duhej analizuar edhe çështjen tjetër: njerëzimi ndahet në dy pjesë. Njëra pjesë ballafaqohet me provokimin e kompleksivitetit, ndërkaq pjesa tjetër ballafaqohet me provokimin e moçëm e të tmerrshëm të ekzistencës. Ndoshta ky është aspekti kryesor i disfatës së projektit modern i cili, të ta përkujtoj, ishte i vlefshëm për njerëzimin përgjithësisht.
3. Pikën e tretë, atë më kompleksen, do ta paraqes këtu më së shkurti. Çështja e postmodernes është gjithashtu, ose në rend të parë, çështje e theksimit të mendimeve: artit, letërsisë, filozofisë, politikës.
E dijmë se në art, për shembull, e më saktësisht në lëmin e arteve vizuele a plastike, dominon ideja se kemi përfunduar lëvizjen e madhe të avangardave. Është e zakonshme, të them kështu, që ta përqeshim avangardën që e kuptojmë si shprehje të modernes së vonuar.
Sikur shumica, ashtu edhe unë, nuk e dua fjalën avangardë me konotacionin e saj ushtarak. Kam hetuar se procesi i vërtetë i avangardizmit njëmend ka qenë i gjatë, i mundimshëm, punë shumë me përgjegjësi e drejtuar nga hulumtimi i hipotezave të implikuara në modernen. Dua të them se, nëse dëshirojmë që plotësisht t’i kuptojmë veprat e piktorëve modernë, të themi që nga Mane e deri te Duchamp apo Barnett Newmann, duhet krahasuar veprën e tyre me anamnezën në kuptim të terapisë psikanalitike. Dhe, mu sikur përpiqet pacienti të redigjojë komplikimin e pranishëm duke ndërlidhur lirisht e në mënyrë të tejdukshme elementet jo të përhershme me situatat nga e kaluara, e kjo i ndihmon pacientit të zbulojë kuptimet e fshehta të jetës dhe të sjelljes së tij, po ashtu mund ta shikojmë edhe veprën e Cezannes, Pikassos, Delaunayes, Kandyskies, Kleeos, Mondrianos, Malaviqit dhe, në fund, të Duchampit si “perlaborim” (durcharbeiten) që ka kryer modernja mbi kuptimin vetanak. Nëse heqim dorë nga një përgjegjësi e tillë, sigurisht se gjykojmë vetveten, pa bërë asnjë hap para, në përsëritjen e “neurozës moderne” perëndimore, shizofrenisë, paranojës, etj., që janë burim i të gjitha të këqijave që njohëm gjatë dy shekujve. Tashmë e ke të qartë se post– i kuptuar kështu nga fjala postmodernja nuk do të thotë lëvizje sikur ajo come back, flash back, feed back, gjegjësisht nuk do të thotë përsëritje, por proces në kuptimin ana-, proces i analizës, anamnezës, anagogjisë e anamorfozës, që elaboron “harresën e fillimit”.