Shenjtëria

23 prill 2023 | 09:59

Albin Mehmeti 

Slogani “Rroftë shenjtëria e gjuhës dashamire” u shpalua në Sheshin e Madh. Një qarkore nga kryetari i Dashamirit urdhëronte zyrat komunale e të ofiqarisë, shkollat e spitalet, hotelet e kafenetë që ky slogan të jetë i vendosur në vende e hapësira të dukshme. Kjo detyronte edhe qytetarët që në raste festash, sidomos ato shtetërore që mbi kulmin e shtëpive a në ballkone banesash ta vendosin flamurin ku lavdërohej dashamirishtja. Një urdhër iu dha edhe xhamive, teqeve, kishave katolike, kishave ortodokse, kishave protestante e sinagogave, që të premten, shtunën e të dielën, para dhe pas çdo predikimi të lavdërohej gjuha dashamire.

***

Nga çasti në çast pritej që kryetari i Dashamirit të dilte në konferencën për medie. Kishte paralajmëruar, madje edhe kishte urdhëruar mediat që të jenë të pranishme në këtë konferencë, që ai dhe kabineti i tij e quanin historike. Me pak fjalë, në ftesën apo më mirë të themi urdhëresën e kabinetit të kryetarit thuhej:

“Jeni të ftuar në konferencën e kryetarit të Dashamirit, shkëlqesisë së tij, z. Mahir Plumi. Konferenca do të mbahet nesër, në ora 12 në Sheshin e Madh. Arsyeja e vetme e mungesës suaj në këtë konferencë, ku përcaktohet fati i kombit tonë është vdekja!”

Ndoshta ose/dhe pa ndoshta e zgjata e stërzgjata që solla ftesën apo më mirë të themi urdhëresën. Po ta kishte titullin tregimi “Konferenca për medie” ndoshta vetëm do ta kishit shfletuar dhe injoruar. Nejse!

Pas pak, kryetari Mahir Plumi, apo siç  dëshironte ta quanin shkëlqesia e tij Plumi doli para gazetarëve të shumtë. Pranë tij ishte edhe drejtori i Bibliotekës Qendrore të Dashamirit, Gjon Fleta, për të cilin nuk e dimë se si dëshironte ta thërrisnin. Pasi gazetarët ndezën kush kamerat e kush mikrofonat, kush telefonat e kush magnetofonat, Mahir Plumi, më falni shkëlqesia e tij Plumi, nisi fjalimin:

“Të dashur gazetarë, që me praninë tuaj kaq të madhe e keni nderuar veten, familjen, mëhallën, fisin, kombin e njerëzimin;

Të nderuar qytetarë që jeni këtu, ju që po na shikoni përmes televizorit, po na dëgjoni përmes radios dhe do të na lexoni pas pak në portale, nesër në gazetë dhe pas një viti, dekade, shekulli e mileniumi në faqet e ndritura të historisë;

Sot po vazhdojmë me hapat e radhës të një iniciative që e mora unë si kryetar, gjithmonë duke plotësuar kërkesat tuaja të hapura e të fshehura, duke dëgjuar amanetet e thëna e të pathëna të baballarëve, gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë. Gjuha jonë e shenjtë, e bekuar dhe e shenjtëruar nga Zoti, duhet të mbrohet edhe nga ne, qoftë edhe me jetët tona. Fëmijët tanë, një herë e mirë duhet të rriten me zanat e shtojzovallet tona, e jo me Kësulëkuqen që e hanë ujku e Borëbardhën që e helmon njerka. Ne duhet të zgjohemi, të punojmë e të flemë me fjalët e ëmbla të gjuhës sonë hyjnore. Duke i parë këto rrethana, kam angazhuar ekspertë, mjekë, psikologë, sociologë, historianë, teologë, gjuhëtarë e letrarë për ta gjetur shkakun e këtyre teposhtave kulturore e identitere. Pas shumë e shumë përpjekjesh e hulumtimeve është arritur në përfundim se shkaktari kryesor janë librat në gjuhë të huaj dhe librat e autorëve të huaj të përkthyer në gjuhën tonë të shenjtë. Ka ardhur koha që t’i japim fund kësaj katrahure. Andaj, unë do të jem i pari, që këtu, në mes të Sheshit të Madh, që prej sot do të quhet Sheshi i Gjuhës, do ta gjuaj këtë libër dhe pres nga ju ta trasoni rrugën time!”[1]

Kryetari hodhi librin pranë këmbëve të gazetarëve. Më pas, drejtori i Bibliotekës Qendrore të Dashamirit, Gjon Fleta doli para gazetarëve, dhe tha vetëm dy-tre fjalë: “Kurse unë do të jem i dyti”. Edhe Fleta hodhi librin pranë librit të kryetarit. Gjithë kabineti i kryetarit hodhi librat që bartnin në duar.

***

Pirg i madh i librave ishte krijuar në shesh. Ishte lëshuar një udhër në radio e televizione, portale e gazeta, shkresa zyrtare e tellallhane kafenesh se çdo libër në gjuhë të huaj dhe libër i autorëve të huaj i përkthyer në gjuhën dashamire duhet të dorëzohej në shesh. Të gjithë librat, pas disa ditëve do të digjeshin solemnisht nga Mahir Plumi, më falni nga shkëlqesia e tij Plumi. Në atë ditë ishte vendosur që të shpallej edhe Dita e Shenjtërimit të Madh.

***

Flaka e tymi ndriçoi gjithë qytetin. Në fjalimin para se të fillonte djegia e librave, kryetari i Dashamirit, këtu nuk dua të ia përmend emrin, sepse po detyrohem t’i referohem me shkëlqesi, tregoi edhe një varg masash e dënimesh që do të ndërmerreshin para ata që do të tentojnë ta përdhosin gjuhën, që tani vetëm sa ishte shenjtëruar.

***

Përkthyes veprash nga letërsitë lindore e perëndimore, si dhe njohës të gjuhëve të gjalla dhe të vdekura i mblodhën në Bardhjan, në Kursin e Edukimit dhe Riedukimit Patriotik. Aty do të mësohej për gjuhën dhe historinë e Dashamirit. Kursi nuk ka afat të caktuar, por do të përfundojë veç e veç, atëherë kur kursisti do të pendohet për gabimin që kishte bërë duke e mësuar një gjuhë të huaj. Edhe pse do të lirohen, ata nuk do të kenë më kontakte me libra, sidomos me librat që kishin filluar të botoheshin në Dashamir, me arsyetimin se … mëkatari i gjuhës e ka të ndaluar ta shijojë freskinë nga oaza e letërsisë së re dashamirase.

***

Letërsia dashamirase po arrinte në zenit. Edhe optimistët më të mëdhenj nuk kishin besuar se kjo do të ndodhte. Si asnjëherë më parë, fëmijët po flinin e po zgjoheshin më personazhe të përrallave të autorëve të Dashamirit.

***

Një sëmundje e rëndë, që dikush i thoshte epidemi, e kush dergjë u shfaq në Bardhjan. Thuajse të gjithë kursistët e edukimit dhe riedukimit patriotik u sëmurën. Autoritetet dashamirase u detyruan që kursistët t’i kurojnë në Spitalin e Madh të Dashamirit.

***

Në dhomën 3/b të Repartit të Pulmologjisë të Spitalit të Madh të Dashamirit ishte i shtrirë, Behar Maji, përkthyesi me nam nga gjuhët latine dhe gjermane. Bri tij ishte shtrirë Mali, një gjimnazist, njëri prej nxënësve më të mirë në Dashamir. Në duart e Malit ishte një libër që ia tërhoqi vëmendjen Beharit. Në atë ditë, policët që ruanin në dhomë nuk u koordinuan kur bënë ndërrimin dhe kështu që mbeten të vetëm në dhomë Behari dhe Mali. Në këtë situatë, Behari i kërkoi Malit që t’i fliste pak për librin. Këtu do të fillonte të ndërronte gjendja. Deus ex machina kishte zbritur në dhomën 3/b të Repartit të Pulmologjisë të Spitalit të Madh të Dashamirit. Se çfarë ndodhi e tek, prisni ta shihni.

***

Bisedën e tij me Beharin, Mali do të diskutonte me Bledianin, Blediani me Shpresën, Shpresa me Bardhin e kështu bisedë pas bisede do të shkaktohej një kaos.

***

Dashamirasit u ngritën në këmbë. Në protestën e organizuar në Sheshin e Gjuhës apo ish-Sheshin e Madh të Qytetit, qytetarët shpalosën sloganin “Ne e duam dhe adhurojmë gjuhën tonë, por duam të komunikojmë  me botën!”. Pranë këtyre sloganeve, filluan edhe thirrjet për rrëzimin e kryetarit.

Nga dita në ditë, protestat vetëm sa shtoheshin. Kryetari ra!

***

Një proces i pazakonshëm gjyqësor po zhvillohej. Në bankën e të akuzuarve gjendeshin Mahir Plumi, më falni shkëlqesia e tij Plumi dhe Gjon Fleta, pozitat e të cilëve tani më i dini. Në ditën e fundit dha dëshminë Behar Maji, i cili ndër të tjerash tha: “Në të vërtetë isha duke menduar se njohja e një gjuhe të huaj paraqiste mëkat. Pata vendosur që sapo të kurohem, të pendohem për punën që kisha bërë. Çdo gjë ndryshoi kur në dhomën e spitalit pashë Malin që po lexonte librin “Ngatërrestari”. Kur m’i shpjegoi ngjarjet e librit e pashë që ishte pikërisht libri që e kisha përkthyer nga gjermanishtja dhe e kisha lënë në dorëshkrim në redaksi. Se çfarë u bë më pas, e dini të gjithë!”.

Kjo ishte dëshmia e fundit e një procesi të gjatë gjyqësor. Siç  u kuptua më pas, Mahir Plumi alias shkelqësia e tij Plumi, i ndikuar nga Shoqata e Shkrimtarëve të Dashamirit kishte ndaluar çdo gjuhë të huaj dhe çdo autorë të huaj  me qëllimin që veprat e tyre t’i merrnin si veprat e tyre, më pas të dukeshin autorë të mëdhenj në sytë e dashamirasve. Për shkak të komplikimeve dhe rrezikut të animit politik të gjykimit ishte vendosur që trupi gjykues të jenë të huaj. Ata morën një vendim, por që administrata ende s’e ka përkthyer, pasi që ende nuk ka angazhuar përkthyes, madje edhe narratori, produkt i asaj gjenerate nuk di asnjë një fjalë të gjuhëve të huaja.

[1] Ky fjalim është marrë nga kopertina e librave të historisë të klasës së 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11 dhe 12 të periudhës për të cilën flet tregimi. Libri është gjetur në Arkivin Qendror të Livdohovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një burrë në gjendje të dehur në Skenderaj i ka…