Shënohet 15-vjetori i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë
Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF) e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka mbajtur ceremoninë e 15-vjetorit të themelimit të saj.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, në këtë ceremoni ka theksuar se duke u nisur nga misioni dhe qëllimi i themelimit dhe funksionimit të AKF-së si institucion shtetëror me një rol të veçantë në sistemin e sigurisë dhe drejtësisë në shtetin, është një privilegj, por edhe përgjegjësi dhe sfidë për menaxhimin e përgjithshëm të saj.
“Fusha forenzike të cilën e mbulon ky institucion është shumë e ndjeshme, e rëndësishme dhe përcaktuese në identifikimin, zbulimin, vërtetimin, parandalimin e kriminalitetit në vendin tonë”, tha ministri Mustafa.
Ai shtoi se Agjencia e Kosovës për Forenzikë do të ketë përkrahjen e tij dhe drejtimin e duhur të përcaktuar me Ligjin për AKF-në dhe legjislacionin përcjellës të aprovuar.
“Falë angazhimit të të gjithë personelit të AKF-së dhe më mbështetjen time të pa rezervë në të gjitha drejtimet, sukseset nuk do të mungojnë edhe në vitet vijuese”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa, kryeshefi i AKF-së, Blerim Olluri, ka thënë se kjo agjenci gjatë këtyre viteve ka luajtur një rol të rëndësishëm në zbardhjen e veprave penale ku të gjitha ekspertizat janë kryer sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
Me këtë rast para të pranishmëve është paraqitur edhe një film dokumentar i shkurtër lidhur me historikun e themelimit të AKF-së.
/Epoka e re/