Shënohet 23-vjetori i Ditës së dëshmorëve të Kaçanikut
Nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Kaçanikut janë mbajtur disa aktivitete për shënimin 10 gushtit – Ditës së dëshmorëve të Brigadës 162 “Agim Bajrami”.
Aktiviteti kryesor është mbajtur në Pallatin e Kulturës “Xheladin Kurtaj”, përmes një akademie përkujtimore, ku janë përkujtuar dëshmorët e komunës së Kaçanikut. Me këtë rast kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se 10 gushti mbetet një ditë historike për komunën e Kaçanikut, ngase më 10 gusht 1998 dolën krismat e para çlirimtare në anën e Kaçanikut, ku edhe ranë heroikisht komandant Agim Bajrami, me bashkëluftëtarët Besnik Begunca e Xheladin Kurtaj. “10 gushti mbetet dita e përkujtimit të dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve në komunën e Kaçanikut. Kjo ditë na kthen kujtesën tonë historike 23 vite më parë, për të kujtuar ngjarjen që më së miri portretizon dhe skalit emrat e gjithë dëshmorëve të anës së Kaçanikut, që kishin së bashku një qëllim: lirinë e atdheut të tyre”, ka thënë kryetari Ilazi.
Në emër të organizatës së veteranëve të luftës ka folur Hajrush Kurtaj ish-zëvendës komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, i cili tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një epokë e historisë shqiptare, ndërsa shtoi se Kaçaniku i fali kësaj toke 95 dëshmorë, dy komandantë, tri vajza të rëna nën petkun e UÇK-së dhe një nënë.