Shënohet 25-vjetori i Ditës së Dëshmorëve të UÇK-së në Mitrovicë
Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Ditës së Dëshmorëve të UÇK-së në Mitrovicë, drejtues të komunës së Mitrovicës, familjarë të dëshmorëve, veteranë dhe invalidë të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe sot në Varrezat e Dëshmorëve në Shipol.
Për të nderuar luftën e lavdishme të UÇK-së, të gjithë ata që luftuan, në veçanti për të nderuar sakrificën e dëshmorëve dhe familjeve të tyre, kryetari i komunës, Bedri Hamza, së bashku me nënkryetarin Arian Tahiri, kryesuesen e Kuvendit Komunal, Vesa Broja, drejtorë të drejtorive komunale, kanë bërë homazhe duke vendos buqeta me lule të freskëta, në varrezat e dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës.
Pjesëmarrës në këto homazhe ishin edhe përfaqësues të institucioneve tjera lokale, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarë të shumtë.
Në fjalën e tij, kryetari Bedri Hamza, tha se jemi mbledh sot, si në çdo vit tjetër, për ta nderuar veprën dhe figurën e trimave të kësaj ane, në Ditën e Dëshmorëve të Mitrovicës.
“Mitrovica i ka dhënë shumë Kosovës, në çdo etapë të ekzistencës së saj. Por trimëria dhe flijimi i dëshmorëve në luftën e fundit, është traseja më e dhimbshme e vendit tonë, në rrugën e gjatë të përpjekjeve, për të realizuar të drejtën e të jetuarit të lirë”, është shprehur ndër të tjerash kryetari Hamza.
Më tutje ai theksoi se kjo liri që po e gëzojmë sot është dhurata më domethënëse e vet ekzistencës tonë, dhuratë kjo që ata e paguan me çmimin më të shtrenjtë- vet jetën. “Dëshmorët e Mitrovicës, martirët dhe civilët janë gurthemeli i vet ekzistencës tonë, janë garanci e dhënë me detyrën me të shtrenjtë – flijimin, që ne sot të jetojmë të lirë dhe të pavarur, të punojmë e zhvillohemi. Sot dhe çdo ditë përulemi përpara veprës heroike të Dëshmorëve të Mitrovicës. Lavdi!”, tha ndër të tjerash Hamza.
Ky përvjetor u organizua nga Komuna e Mitrovicës, përkatësisht nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës.