Shënohet 31-vjetori i Kuvendit të Verrave të Llukës, Haradinaj ndan medalje për disa nga aktivistët e pajtimit të gjaqeve

01 maj 2021 | 16:07

Në Verrat e Llukës, pikërisht më 1 maj 1990, ishte mbajtur Kuvendi i Pajtimit, më i madhi tubim i tillë në historinë tonë, ku qindra mijëra pjesëmarrës, u bën dëshmitarë të bashkimit të shqiptarëve.

Lideri i AAK-së, ish kryeministri Ramush Haradinaj mori pjesë në organizimin e 31-vjetorit të kësaj ngjarje.

Haradinaj ka thënë se krenohet me kontributin e Anton Çettës, Zekeria Canës, Don Lush Gjergjit e të gjithë aktivistëve të kohës, veçanërisht rinisë patriotike që inicioi veprën e cila bashkoi dhe mobilizoi tërë shqiptarët.

“Jam i lumtur që brezi im, vazhdoi rrugën e lëvizjeve të paraardhësve tonë. Në historinë e Kosovës, lëvizja për pajtimin e shqiptarëve, zë vend shumë të rëndësishëm. Vepra e tyre është madhështore dhe dërgon porosi në ndërgjegjen tonë kombëtare. Në kohën e okupimit të egër, ata gjetën guximin dhe bashkuan zemrat e shqiptarëve”.

“Vëllavrasja vazhdon të jetë armiku jonë. Falënderoj të gjithë ata që ndihmojnë shqiptarët që ta falin njëri tjetrin, veçanërisht prijësit fetarë, hoxhallarët, priftërinjtë e shehlerët. Ngritja e vetëdijes, shteti ligjor që ofron siguri për qytetarët, janë garanci që dukuri të tilla të mos përjetojmë më”, ka thënë Haradinaj.

Në këtë ditë të shënuar, Haradinaj ka ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”, për disa nga aktivistët e pajtimit të gjaqeve, pas vdekjes: Prof. Zekeria Cana, Prof. Anton Çetta, Prof. Ramiz Kelmendi, Azem Shkreli, Nana Ajshe, Mark Krasniqi, Nimon Alimusaj dhe Jashar Salihu.

Gjithashtu medalje ka ndarë edhe për aktivistët që ende jetojnë: Musa Berisha, Have Shala, Ethem Çeku, Myrvete Dreshaj, Don Lush Gjergji, Mulla Ajni Ramadani dhe Sali Cacaj.

Një medalje të tillë, e ka ndarë edhe për fshatin Llukë e Epërme, që ishin nikoqir të Kuvendit të Madh.

“Ne duhet të mbrojmë vlerat e krijuara, më e madhja e të cilave është liria, duke e forcuar sigurinë dhe duke ndjekur rrugën drejt NATO-s ose bashkimit me Shqipërinë. Përgjithmonë mirënjohës kontributit të lëvizjeve kombëtare për liri e bashkim. Përgjithmonë mirënjohës atyre që dhanë jetën për idealet kombëtare”, ka thënë Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas raporteve të datës 1 maj 2021 nga klinikat Covid…