Shënohet 50-vjetori i zbritjes së parë në Hënë
Mijëra njerëz kanë festuar 50-vjetorin e zbritjes së parë në Hënë. Më 20 korrik të vitit 1969, anija kozmike “Apollo 11” e tipit Eagle (shqiponjë), kishte zbarkuar në sipërfaqen e Hënës.
Disa orë më vonë, Neil Armstrong ka bërë historinë duke u bërë personi i parë që ka ecur nëpër Hënë.
Ky mision i inspiruar nga rivaliteti gjatë luftës së ftohtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, tani kujtohet si momenti më i veçantë për studiuesit e yjeve dhe hapësirës.
Nasa ka shënuar përvjetorin duke lëshuar pamje të zbritjes në Hënë, duke i dhënë mundësi gjeneratave të reja të shohin momentin historik që ishte përcjellë nga gjysmë miliardë njerëz 50 vite më parë.
Në momentin e lëshimit në Hënë, udhëheqësi i ekipit të astronautëve, Neil Armstrong dëgjohet duke thënë “Hjuston, Shqiponja ka zbarkuar”.
Disa orë më vonë, Armstrongu kishte dalë në sipërfaqen e Hënës nga ku edhe mbahet në mend fraza historike: “Ky është një hap i vogël për njeriun, por shumë i madh për njerëzimin”.
Armstrongu ishte nën shoqërinë e ekipit që përbëhej nga Buzz Aldrin dhe Michael Collins. Aldrin dhe Collins janë ende gjallë, ndërsa Armstrongu kishte ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare më 2012.
Në shumë qytete të botës është shënuar përvjetori i 50-të i zbritjes në Hënë, me anë të aktiviteteve të ndryshme.