Shënohet 68-vjetori i Medresesë “Alauddin”
Në ambientet e medresesë së mesme “Alauddin”, me një program të pasur kulturor, u shënua 68-vjetori i themelimit të këtij institucioni.
Në këtë solemnitet morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga një pjesë e kabinetit të tij, drejtori i Medresesë, Jakup ef. Çunaku, stafi mësimdhënës dhe nxënës.
Fillimisht para të pranishmëve u lexua një pjesë nga Kurani fisnik, e më pastaj fjala iu dha Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili çmoi dhe vlerësoi lart kontributin e Medresesë “Alauddin” dhënë me dekada të tëra.
“Më lejoni që në emrin tim dhe në emër të institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, t’u uroi ditën e shkollës të gjithë juve që jeni sot këtu dhe të gjithë atyre që kanë mësuar në këtë kështjellë të paepur të dijes. Më lejoni t’u uroi të gjithë atyre që kanë diplomuar, e që sot janë thuajse në të gjitha institucionet e Kosovës duke dhënë kontributin e tyre në ngritjen dhe mëkëmbjen e shtetit tonë. Është kënaqësi e madhe të jemi sot këtu e të rikujtojmë 68 vjet të bujshme, 68 gjenerata që u edukuan dhe u arsimuan në këtë vatër të arsimit. Kujtojmë vitet e hapjes së Medresesë dhe kohërat e vështira që e karakterizonin popullin shqiptar, por megjithatë, dëshira për dije dhe dashuria për fe dhe atdhe bëri që të hapet një dritare e re e mësimit të fesë në gjuhën e ëmbël shqipe, e që ishte hapje e Medresesë, për të cilën jemi çdoherë krenar”, tha ndër të tjerash Myftiu Tërnava.
Më pas, për të treguar për historikun, të arriturat dhe sukseset e Medresesë foli drejtori, Jakup Çunaku, i cili ndër të tjera tha se nëntori është një nga muajt në të cilin janë shënuar ngjarje e ndodhi që kanë ndryshuar rrjedhën e fatit të popullit tonë.
“Në ato rrethana shumë të vështira, të parët tanë, që njiheshin për dashurinë që kishin për fenë dhe kombin, morën vendimin e hapjes së institucionit të dijes, arsimit dhe edukimit në gjuhën shqipe. Kjo ishte Medreseja e parë shqipe. Në vitet e ’50-ta, Medreseja nuk e kishte rolin vetëm të një vatre të dijes, por ishte institucioni që arsimonte dhe edukonte gjithë të rinjtë për vlerat kombëtare. E në vitet e vështira të popullit të Kosovës, vitet e ’90-ta, Medreseja shumëfishoi rolin e saj, duke u vë në shërbim të popullit dhe kauzës sonë për çlirim”.
Duke folur rreth sukseseve të kësaj shkolle, drejtori Çunaku përmendi numrin e madh të nxënësve që diplomuan në këtë shkollë, e të cilët sot i gjejmë thuajse në të gjitha poret e jetës.
Gjithashtu ai përmendi edhe organizimin për herë të dytë të garave të Kuranit në kuadër të medreseve në Ballkan.
Krejt në fund, ai falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, MASHT-in, DKA-në dhe faktorët e tjerë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer dhënë për Medresenë Alauddin.
Krejt në fund para të pranishmëve u dha një program i pasur kulturor me ilahi, poezi e monologë, i përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle.