Shënohet 70-vjetori i themelimit të Institutit Albanologjik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar dhe në mesin e folësve në Akademinë solemne për 70-vjetorin e themelimit të Institutit Albanologjik.
Të pranishëm ishin edhe drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, akademik, profesor Rexhep Qosja, profesorët Lulzim Lajçi e Kudusi Lama, shefja e Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali dhe studiues.
Me një fjalë rasti, para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se jeta dhe veprimtaria e Institutit ishte e lidhur ngushtë me fatin e popullit që e përfaqësonte, me fatin e popullit shqiptar.
Kurti duke kujtuar themeluesit e Institutit Albanologjik, vendimi i të cilit u shpall më 29 korrik 1953, tha se të merresh me të kaluarën, do të thotë të hedhësh dritë në të tashmen dhe në të ardhmen.
Sipas tij, Instituti Albanologjik u bë institucioni i parë kërkimor-shkencor, që do të merrej vetëm me studimin e kulturës shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve pas Luftë së Dytë Botërore.
Kurti ka theksuar se nga ky vështrim Instituti Albanologjik paraqet Institutin e dritës, sidomos për shqiptarët e Kosovës dhe për ata të trojeve të tjera nën ish-Jugosllavi.
“Veprimtaria jetëshkurtër e Institutit, në fazën e parë, hapja në vitin 1953 dhe mbyllja në dhjetor të 1955, ishte tregues i qartë i ballafaqimeve të pandalshme të shqiptarëve me politikën shoviniste serbomadhe të kohës, në krye të së cilës ishte ministri i atëhershëm, i Brendshëm, Aleksandër Rankoviq, që përpiqej me çdo kusht ta bënte sa më të rëndë jetën e shqiptarëve. Kjo politikë që synonte të kthente në ferr jetën e tyre, e bënte këtë në mënyrë që të detyronte sa më shumë shqiptarë të shpërnguleshin nga trojet e tyre”, ka deklaruar ai.
Më tutje Kurti ka theksuar se data kur është hapur Instituti për herë të parë, 29 korrik 1953, është saktësisht në 40-vjetorin e Konferencës së Londrës.
“Pra, thua se është treguar, që pavarësisht padrejtësisë së copëtimit të shqiptarëve, ka diçka që është e pandalshme dhe që jo vetëm vazhdon, por edhe bëhet institucion”, u shpreh Kurti, duke theksuar se Instituti Albanologjik, e ka pësuar politikën e kohës, por Instituti Albanologjik e ka kombëtarizuar edhe politikën edhe kohën, sidomos sot, kur ballafaqimi me gjuhë e me vlera të huaja kulturore është aq i madh e aq sfidues dhe kur kemi një rikthim të revizionizmit në histori dhe të gjeopolitikës në glob, Instituti Albanologjik pa dyshim që do të vazhdojë të jetë në qendër të zhvillimeve shoqërore, kulturore, linguistike e pse jo edhe politike të shtetit tonë e të kombit tonë.