Shënohet Dita Botërore e bletës në Herticë
Komuna e Podujevës në bashkëpunim me Shoqatën e Bletarëve “Llapi” kanë shënuar 20 majin – Ditën Botërore të bletës me një manifestim me bletarë llapjanë.
Në këtë aktivitet morën pjesë nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vigan Salihu.
Para të pranishmëve folën nënkryetarja Lahu dhe kryetari i shoqatës së bletarëve “Llapi”, Raif Muqolli.
Nënkryetarja Lahu ka thënë se ndihet e lumtur që është në mesin e bletarëve të vyeshëm llapjanë, për ta shprehur gatishmërinë e ekzekutivit lokal për mbështetje të vazhdueshme për sektorin e bletarisë, sektor i cili për çdo vit është duke shtuar numrin e shoqërive të bletëve si dhe numrin e fermerëve që po merren me këtë veprimtari.
“Në angazhimin tonë si qeverisje e re lokale, kemi zhvilluar takime me instanca qendrore dhe me partnerë ndërkombëtarë, për të siguruar mbështetje edhe më të madhe për ju, përtej planifikimeve tona buxhetore, sepse siç e dini edhe ju ky buxhet nuk është as për së afërmi i mjaftueshëm për kërkesat dhe nevojat tuaja”, ka thënë Lahu.