Shënohet Dita e Dëshmorëve të Mitrovicës
Nën patronazhin e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza dhe në bashkëpunim me Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, të hënën është mbajtur një manifestim kushtuar Ditës së Dëshmorëve të komunës së Mitrovicës.
Me këtë rast, kryetari i komunës, Bedri Hamza, së bashku me nënkryetarin Arian Tahiri, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të institucioneve tjera lokale, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarë të shumtë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendos buqeta me lule, në varrezat e dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës.
Fillimisht hapja e këtij organizimi është bërë nga përfaqësuesja e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Mitrovicë, Alije Tmava, e cila tha se 6 qershori, dita e dëshmorëve është dita e krenarisë, ku u sakrifikuan shumë të rinj që sot ne të festojmë festën e pavarësisë.
“Dëshmorët na bëjnë të jemi krenar për vendin dhe kombin por na bëjnë të jemi të përgjegjshëm me sjelljet dhe veprimet tona ndaj kombit dhe shtetit tonë”, ka thënë Tmava gjatë fjalimit të saj.
Ndërkaq në fjalën e tij, kryetari Bedri Hamza, tha se jemi mbledhur këtu që të shënojmë një ditë të veçantë, ditën e dhimbjes, por edhe të krenarisë së madhe 6 qershorin Ditën e Dëshmorëve të Mitrovicës, ditën e heronjve tanë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në këtë ditë, me respekt të thellë, i kujtojmë dhe i nderojmë dëshmorët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë po ashtu, me respekt të thellë, i kujtojmë dhe i nderojmë të gjithë dëshmorët e kombit, që ndër breza bënë sakrificën e madhe që peri i jetës të mos këputët në këto troje. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta. Lavdi për të gjithë dëshmorët”, është shprehur ndër të tjerash kryetari Hamza.