Shënohet dita e shkollës “Motrat Qiriazi” në Klinë
Shkolla Fillore e Mesme e Ulët, “Motrat Qiriazi” në Klinë, me disa aktivitete kulturoro-edukative ka shënuar ditën e shkollës.
Në këtë shënim të ditës së kësaj shkolle, të pranishëm kanë qenë kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tjerë, përfaqësues të Policisë së Kosovës, mësues, nxënës të kësaj shkolle dhe qytetarë. Para të pranishmëve, kryetari Elezaj ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për shënimin e ditës së shkollës.
“Ndjehem i lumtur që sot po e shënojmë një festë të përbashkët, ditën e shkollës suaj dhe tonën. Çdo njeri dhe çdo institucion e ka një motiv për më shumë punë, për më shumë suksese, kurse nxënësit dhe punëtorët e shkollës suaj gjithmonë duhet të bazohen në shëmbëlltyrën arsimore dhe atdhetare e pishtareve të arsimit motrave Qiriazi, emrin e të cilave me dinjitet mban kjo vatër e dijes dhe e arsimit tonë. Këto ngjarje madhore po ashtu na bëjnë të ndjehemi krenarë për rezistencën, sakrificat, por edhe të arriturat që ka pasur kjo vatër e dijes për shumë dekada të jetës së saj, e cila mbijetoi në kohërat më të egra të rrugës së saj historike”, ka thënë Elezaj.
/Epoka e re/