Shënohet Dita Ndërkombëtare e Grave për Paqe dhe Çarmatim

24 maj 2019 | 15:08

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, kanë shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Çarmatim.

Të pranishmit kanë diskutuar mbi rolin e armëve e sidomos atyre të paligjshme në incidentet e dhunës në familje dhe çfarë janë duke bërë institucionet qendrore për të luftuar dhunën në bazë gjinore.

Përveç kësaj është theksuar roli që luan UNDP-ja në bashkëpunim me Ministrinë së Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës në zvogëlimin e armëve të vogla dhe të lehta dhe krijimin e një shoqërie paqësore.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Koordinatori Kombëtar për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL), Izmi Zeka, ka theksuar suksesin e vazhdueshëm të fushatës së legalizimit të armëve dhe rolin që luajnë armët e paligjshme në krimet e dhunshme.

“Ministria e Punëve të Brendshme po punon vazhdimisht për të rritur sigurinë për të gjithë qytetarët e saj ndërsa Policia e Kosovës vazhdon të konfiskojë armët e paligjshme. Sipas statistikave, të gjitha incidentet që përfshijnë armë zjarri kryhen nga armët ilegale”, është shprehur ai.

Ai i ka informuar të pranishmit për të dhënat më të fundit në lidhje me kërkesat për legalizime e armëve të paligjshme si dhe ka apeluar të qytetarët që posedojnë armë ilegale ta shfrytëzojnë këtë mundësi për legalizimin e armëve.

“Ministria po zbaton me sukses një fushatë legalizimi dhe deri më tani janë marrë mbi 990 kërkesa dhe janë lëshuar 577 pëlqime për leje. Unë u bëjë thirrje qytetarëve që posedojnë armë ilegale që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për legalizim”, ka deklaruar Zeka.

Ndërsa zëvendëskoordinatorja e  Programit në UNDP, Marta K. Gazideda,  ka folur për rolin bashkëpunues që UNDP-ja ka me Ministrinë e Punëve të Brendshme në fushën e sigurisë.

“Angazhimi i UNDP-së në Kosovë në fushën e sigurisë bazohet në krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët përmes zvogëlimit të numrit të armëve të vogla dhe të lehta, fushë në të cilën punojmë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme për më se një dekadë. Fushëveprimi ynë përshin aspektin strategjik, hartimin e ligjeve dhe akteve nën-ligjore, forcimin e kapaciteteve individuale dhe atyre organizative duke u thirrur në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ-të) për shoqëri demokratike (OZhQ 16) dhe barazi gjinore (OZhQ 5)”, është shprehur ajo.

Gazideda po ashtu ka theksuar rolin negativ që luajnë armët ilegale në rastet e dhunës në familje.

“Armët e vogla dhe të lehta janë instrumentet kryesore të dhunës në konflikt. Kur këto armë, sidomos ato të mbetura nga konflikti apo edhe ato që janë ilegale, janë në qarkullim, rritet mundësia për krim dhe dhunë në familje e që pastaj, ndikon në varfëri, traumatizim të viktimave dhe shoqëri të pasigurt”, ka thënë ajo.

Kurse rreshtere Xhemile Behluli ka prezantuar punën e Policisë së Kosovës në trajtimin e dhunës në baza gjinore dhe asaj në familje.

Ndërsa Rozafa Kelmendi nga UN Women ka bërë thirrje për përfshirje më të madhe të grave në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në Kosovë me fokus të veçantë gjatë trajtimit të çështjeve që kanë të bëjnë me armët e vogla dhe të lehta.

Në Ditën Ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Çarmatim shënohet roli historik dhe i vazhdueshëm i grave në ndërtimin e paqes dhe çarmatimin.

Në Kosovë gratë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e paqes dhe krijimin e komuniteteve më të sigurta përmes zvogëlimit  të armëve të paligjshme.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kampionia e Kosovës në futboll, Drita nga Gjilani po synon…