Shënohet Java e rinisë në Malishevë
Duke respektuar masat anti-Covid, organizuar nga Qendra Rinore e Malishevës me drejtor, Amrush Helshanin u mbajt debati me temën “Roli i rinisë në vendimmarrje dhe aktivitetet e rinisë në kohë pandemie”.
“Në kuadër të javës së rinisë në Malishevë që po organizohet, jo në kohën e duhur, arsye e vetme është pandemia me Covid-19, por ne do ta sfidojmë edhe këtë virus e me aktivitetet e parapara do të jemi aktiv në javën e rinisë me moton: ‘Së bashku ndërtojmë të ardhmen’, si me debate, poezi, ese, sport dhe në ekspozitë me punimet e artistëve, po sot edhe zyrtarisht licencohet Qendër Rinore në Malishevë”, ka thënë Helshani.
Në këtë debat ka marrë pjesë edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Mazreku, së bashku me zyrtarin për rini, Mehdi Krasniqin.
“Edhe në këto kushte e rrethana të vështira pandemike, ne si institucione dhe qeveri lokale e Komunës së Malishevës, po bëjmë përpjekje që t’u ndihmojmë në realizimin e kërkesave dhe projekteve tuaj, prandaj sot edhe zyrtarisht, Qendra Rinore bëhet me licencë trevjeçare. Kërkoi nga ju që të jeni aktiv në të gjithë sektorët, pasi edhe objektet kulturore e sportive janë në shfrytëzimin tuaj”, ka thënë Mazreku.
(Q.R / Epoka e re)