Shënohet “Java evropiane e mobilitetit dhe lëvizshmërisë” në Ferizaj
Organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim edhe me Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe komunat, të enjten në Ferizaj është shënuar “Java evropiane e mobilitetit dhe lëvizshmërisë”.
Në këtë aktivitete me biçikletat e tyre kanë marrë pjesë nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, drejtoresha e Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, drejtori i Shërbimeve Publike, Arben Halili, Arsim Osmani nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, zyrtarë komunalë si dhe nxënës të shkollave fillore të Ferizajt.
Me këtë rast, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, Arben Halili, ka thënë se në këtë mënyrë edhe në Ferizaj po shënohet “Java evropiane e mobilitetit dhe lëvizshmërisë”, aktivitet ky shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët dhe që ka për qëllim promovimin e lëvizjes së lirë me biçikleta dhe në këmbë.
“Kjo shkon edhe në favor të ruajtjes së mjedisit, pasi siç e dini kohëve të fundit edhe komuna jonë por edhe komunat e tjera, konkretisht ka probleme mjedisore dhe po e promovojmë një aktivitete të tillë. Në të njëjtën kohë dua të potencoj edhe një çështje tjetër që ka të bëjë pikërisht me këtë javë, ku Komuna e Ferizajt është përzgjedhur në mesin e katër komunave të Republikës së Kosovës për hartimin e planit të mobilitetit, ku me këtë rast falënderojmë Asociacionin e Komunave të Kosovës, që na ka mundësuar që të jemi pjesë e këtyre katër komunave për të hartuar planin e mobilitetit për ditën ne vazhdim”, ka thënë Halili.
Aktivitete për shënimin e kësaj jave kanë vazhduar, duke bërë edhe ecje në këmbë tek “Parku i Lirisë” në Ferizaj.
/Epoka e re/