Shënohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe BERZh-it në projektet strategjike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të enjten me drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Matteo Colangeli, si dhe drejtorin e BERZh-it për Kosovë, Sergiy Maslichenko.
Në këtë takim, ai shoqërohej nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Gjatë këtij takimi, palët theksuan rëndësinë e lehtësimit të planifikimit, financimit dhe zbatimit të projekteve infrastrukturore, përfshirë këtu edhe parqet industriale që mundësojnë tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin e bizneseve në Kosovë.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe BERZh-it, duke synuar avancimin e projekteve strategjike që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset vendase dhe ndërkombëtare.
Kryeministri Kurti i falënderoi përfaqësuesit e BERZh-it për takimin dhe bashkëbisedimin e frytshëm, duke shprehur gatishmërinë e vullnetin për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit.