Shënohet viktima e 35-të nga Covid-19 në Shqipëri
Një person ka humbur jetën si pasojë e COVID-19, duke e çuar në 35 numrin e të vdekurve nga pandemia në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë, në komunikimin e përditshëm ka thënë së në 24 orët e fundit janë testuar 291 raste të dyshuara, prej të cilëve 44 kanë rezultuar pozitivë.
“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 59-vjeçar nga Lushnja, i shtruar prej 6 ditësh në terapi intensive, i konfirmuar me Covid-19. Pacienti vuante nga sëmundje shoqëruese. Pas asistencës së madhe të stafit mjekësor në terapi intensive, 59-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë”, ka thënë drejtorja e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami.
Në tre ditët e fundit, Shqipëria ka shëruar shifra rekorde të të prekurve që nga përhapja e koronavirusit. Këto shifra janë ngritur pas heqjes në tërësi të masave të izolimit dhe karantinimit të detyrueshëm të qytetarëve.
Cami ka bërë me dije se rastet e reja janë konfirmuar 22 në Tiranë, 6 në Krujë, nga 4 raste në Durrës, Kamëz dhe Shkodër, 2 raste në Lushnjë, 1 rast në Elbasan dhe 1 në Vlorë.
Përgjatë orëve të fundit është raportuar një numër i shtuar qytetarësh të cilët janë shtruar në Spitalin Infektiv.
Aktualisht janë duke marrë shërbim 52 pacientë, ndërsa 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë orëve të fundit numrit të personave të shëruar i janë shtuar edhe 21 qytetarë të tjerë, duke e çuar në total numrin e të shëruarve mbi 1 mijë.
Në të gjithë Shqipërinë numërohen 349 persona aktivë me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime të kontakteve direkte me të prekurit me sëmundjen vdekjeprurëse.