Shenoll Muharremi: Sipas të gjitha gjasave LV-ja do të përfundojë në opozitë
Njohësi i çështjeve politike, Shenoll Muharremi, ka analizuar fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të kësaj partie Albin Kurti.
Muharremi ka shkruar në “Facebook” se pas datës 9 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë parti opozitare.
Ai ka thënë se duket që strategjia e fundit e LV-së rreth mobilizimit të elektoratit dhe maksimizimit të votës fokusohet në dy fusha: (a) Veri të Kosovës; dhe (b) Diasporë.
“E keni pa sot agjendën e kryeministrit dhe postimet e partisë në veri, tek ura dhe prerja e shiritave atje. Me siguri që këto dy aspekte munden me qenë arma kryesore e Albin Kurtit. Në diasporë me siguri do t’i fitoj LV-ja shumicën e votave, rreth 51%… ndërsa në Mitrovicë, ka potencial me qenë komunë – përjashtim dhe i vetmi vend ku LV mirëmban më shumë vota se vendet tjera nga baza e saj e 2021. Por të dyja këto nuk mjaftojnë për ta i rikuperuar tkurrjen e përgjithshme në nivel vendit. Sidomos përkrahja ditët e fundit në Prizren, Pejë dhe Gjilan.. komuna me shumë vota, munden me qenë sinjal që konfirmon tkurrjen”, ka thënë Muharremi.
Ai ka thënë se përkundër faktit që LV-ja mund të i fitojë deri 85k vota nga diaspora (rreth 67k) dhe Mitrovicë (17k-20k), ato nuk mjaftojnë me i arrit votat dhe përqindjen që synon për ta themeluar qeverinë me pakicat. “Kjo për shkak të strategjisë elektorale të LV-së ‘O krejt, o asgjë’ dhe refuzimit të tyre për të bashkëpunuar me partitë tjera”, ka thënë ai.
Ndërkaq në një shkrim të dytë në “Facebook”, Muharremi ka theksuar se gjasat për një qeveri nga LV-ja pas 9 shkurtit po shuhen.
“Gjuha dhe pozicionet që po përdoren ditët e fundit duket sikur po e largojnë pushtetin dhe opozitën nga njëri-tjetri. Dikush mund të thotë që kjo është një strategji elektorale në ditët e fundit të fushatës për të mobilizuar sa më shumë elektoratin. Por ka indikacione që kjo tashmë mund të jetë një fakt real”, ka thënë ai, duke shtuar se gjuha e përdorur nga Albin Kurti i LV-së po eskalon kohët e fundit.
“Ai nuk po lejon shumë hapësirë, me stilin dhe pozicionet e tij, për bashkëpunim. ‘O krejt, o asgjë!’, kjo është strategjia e tij. Kjo e komplikon tej mase situatën, sidomos pas 9 shkurtit. Nëse LDK dhe LV nuk kanë gjasa të bashkëpunojnë dhe nëse LV mban pozicionin ‘o krejt, o asgjë!’, atëherë kjo nënkupton që janë disa parakushte tepër të vështira për LV-në për të formuar qeverinë pas 9 shkurtit. LV-ja duhet të fitojë së paku 46% të votave më 9 shkurt për të qenë në gjendje të krijojë një qeveri me pakicat, një qeveri me pak numra dhe aspak stabile. Por gjasat që LV-ja të marrë kaq shumë vota janë absolutisht minimale. As në teori, e as në praktikë nuk shihet një rezultat i tillë. Kjo mund të nënkuptojë që LV-ja, me shumë gjasë, nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Kjo për shkak se: Nuk duket se do t’i fitojë 46% të votave; LDK-ja nuk do të hyjë në koalicion me të; LV-ja nuk dëshiron një koalicion me ndonjë parti tjetër të opozitës. Prandaj, sipas të gjitha gjasave, LV-ja do të përfundojë në opozitë”, ka shkruar Muharremi.