
Shenoll Muharremi: Sot askush nuk e ka shumicën, nuk i ka votat dhe mandatet e nevojshme për ta krijuar qeverinë
Analisti politik, Shenoll Muharremi, ka komentuar deklaratën e Kurti se fillimisht pret rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimin, e tek pastaj bisedimet për qeveri.
“Kur po thotë dhe po e përsëritë disa herë kryeministri ‘së pari rezultatet e certifikimi, e pastaj flasim për qeveri’ ta krijon përshtypjen që po thotë disi ‘këto rezultate vështirë kanë për t’u certifikuar’.. Ose ‘kemi me i zvarritë kogja shumë derisa certifikohen’. Rezultatet në aspektin e mandateve i dimë nga 9 shkurti, nuk është që duhet me pritë certifikimin për të biseduar e për t’u dakorduar për formim të qeverisë. Kanë pasur kohë që një muaj për të bërë marrëveshje dhe me na tregu kush dhe si e formojnë qeverinë. Por nuk e kanë bërë dhe sot askush nuk e ka shumicën, nuk i ka votat dhe mandatet e nevojshme për ta krijuar qeverinë. Përndryshe sot tha gjithashtu ‘unë e formoj dhe udhëhiqi qeverinë’. Ok-ej, formoje nëse mundesh, por bëhu transparent se si? Një muaj tashmë kaloi!”, ka theksuar Muharremi.
Ai ka thënë se legjitimitetin me vota e ka fituar për ta formuar qeverinë, por me gojë të veten duke i ofenduar partitë tjera e duke i quajtur ‘hajvana’ e ka humbur kredibilitetin e partnerit potencial.
“48 LV +10 pakicat joserbe +1 NR = 59 mandate/vota/ në dispozicion, nuk bëjnë 61 sa nevojiten. Pa tregu ku i ka edhe së paku dy mandate/vota të tjerë, nuk mundemi për ta kuptuar seriozisht, por më shumë ndoshta si blof. E pastaj është punë tjetër nëse dëshiron për ta formuar, pa së paku një parti opozitare të madhe – qeverinë, e me qenë aq e dobët dhe paqëndrueshme saqë edhe era më solide ta rrëzoi sikur një kullë prej rëre. E pastaj për të shkuar në zgjedhje përsëri, ende pa u përpiluar e aprovuar planin e punës së qeverisë ose pa e bë ndonjë punë të hajrit”, ka shkruar Muharremi.
Analisti Muharremi ka theksuar se Kosova ka nevojë për një qeveri stabile dhe kompetente që i adreson nevojat e brendshme reformatore dhe zhvillimore. “Sidomos një qeveri që di me navigu në botën e trazuar ku arkitektura e sigurisë dhe aleancat historike globale po shemben si kurrë më parë gjatë 100 viteve të fundit”, ka thënë Muharremi.