Shërbimi Gjeologjik i Kosovës jep detaje për tërmetin
Shërbimi Gjeologjik i Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me tërmetin e sotëm në Mal të Zi, lëkundjet e të cilit janë ndier edhe në disa qytete të Kosovës.
Përmes një komunikate për medie, ky shërbim ka bërë me dije se epiqendra e këtij tërmeti ishte në Mal të Zi, 24 km në Perëndim të Pejës.
“Duke u bazuar në Rrjetin Sizmik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të Divizionit Sizmologjik të Kosovës, më 04/01/2018. Në ora 11:54 sipas kohës lokale, vendi ynë është lëkundur nga një tërmet që ka goditur Malin e zi me magnitude 5.2 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet VII ballë të Merkalit, dhe është përcjell me disa tërmete (Pasgoditje) me intensitet më të ulët 2.8-4 shkallë Rihter. Epiqendra e këtij tërmeti ishte 64 km në lindje të Podgoricës, 24 km në Perëndim të Pejës, respektivisht në koordinatat : 42.62 (latituda) dhe 19.96 (longituda) ndërsa thellësia hipoqendrore ishte 10 km”, është thënë në komunikatë.
Po ashtu, në këtë komunikatë është treguar se në cilin rajon të Kosovës janë ndier dridhjet më shumë. “Për shkak të thellësisë së përfillshme të vatrës së tij, tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e Dukagjinit dhe tërë Kosovës. Deri më tani Rrjeti Sizmik nuk posedon të dhëna lidhur me dëmtimet eventuale në zonën epiqendrore”, është thënë në komunikatë.