Shërbimi i Fizikës Mjekësore në ShSKUK, në prag të mbylljes
Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nën drejtimin e kryetares Fatmire Kollçaku, mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën ndarazi takoi përfaqësuesit e Shërbimit të Fizikës Mjekësore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe përfaqësuesit e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).
Pasi hapi mbledhjen, kryetarja Kollçaku ia kaloi fjalën përfaqësuesve të Shërbimit të Fizikës Mjekësore të SHSKUK-së për të dhënë një pasqyrë të detajuar për gjendjen në këtë institucion.
Përfaqësuesit e Shërbimit të Fizikës Mjekësore gjatë diskutimeve ndër të tjera theksuan se ky institucion është në prag të mbylljes, pasi që punëtorët janë të pakënaqur me trajtimin e pagesës.
Ata thanë se nga gjashtë fizikantë që kryenin shërbime të trajtimit rrezatues jonizues, për krejt pacientët e Kosovës, tashmë kanë mbetur vetëm tre, të cilët janë me diploma doktorature të Fizikës Mjekësore.
Anëtarët e komisionit u zotuan se do të ndërmjetësojnë për një zgjidhje të përkohshme derisa të gjendet një zgjidhje përfundimtare, me qëllim që ky institucion i rëndësishëm për qytetarët e vendit të mos mbyllet.
Më pas, komisioni takoi përfaqësuesit e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), të cilët po ashtu adresuan ankesa të shumta, duke përmenduar se në mungesë të fondeve disa nga organizatat më të vjetra dhe me kontribut disavjeçar, tashmë kanë mbyllur shërbimet e tyre 24-orëshe sociale dhe familjare.
Po ashtu, përfaqësuesit e KOMF-it theksuan se donacionet nga organizatat dhe institucionet evropiane janë zvogëluar që nga viti 2015 dhe se buxheti shtetëror nuk po i plotëson këto mungesa,. Prandaj, sipas tyre, që nga janari i vitit 2024 gjendja po shkon drejt kolapsit. Ata kërkuan ndihmën e komisionit parlamentar që të gjejnë një mundësi ndërmjetësimi për financimin e tyre për të dalë nga kjo gjendje.
Kurse, anëtarët e komisionit gjatë diskutimeve theksuan se me KOMF-in kanë pasur bashkëpunim të frytshëm, sidomos me përkushtimin e tyre lidhur me procedimin e ligjit, duke premtuar mbështetje për të gjetur një zgjidhje për këto organizata.