Shërbimi i Self Check-in tani edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’
Sistemi i pranimit të udhëtarëve dhe valixheve mund të bëhet nga vetë udhëtarët përmes kioskave të “Self-Check-in”. Pas hapjes së katër portave shtesë dhe duke shtuar hapësirat për procesimin e udhëtarëve tani Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka lansuar edhe shërbimin e Self Check-in.
ANP ‘Adem Jashari’ LKIA nga muaji gusht ka ofruar sistemin e pranimit të udhëtarëve dhe valixheve që mund të bëhet nga vetë udhëtarët, sistem ky që është pjesë e teknologjisë që përdoret për të lehtësuar procedurat para fluturimit të udhëtareve. Tani aeroporti ka të instaluar 6 Self Check-in kioska dhe 10 Self Bag Drops për valixhe.
Aktualisht deri në finalizimin e projektit që përfshin edhe implementimin e paisjeve biometrike Self Check-in mund të përdoret nga udhëtarët që udhëtojnë me kompanitë Wizz Air, Easy Jet, Eurowings, Chair, GP Aviation, Pegasus Airlines, Tui Fly, Trade Air, Austrian Airlines, Sunexpress, Enter Air etc.
Udhëtarët duhet të përdorin këto paisje në pajtueshmëri me kohën e hapjes dhe mbylljes së fluturimit ku për një fluturim mund të fillojnë procedurat e Self Check-in 3 orë para nisjes së fluturimit dhe përfundojnë 40 min para orës së nisjes.
Dokumentet e nevojshme për përdorimin e Self Check-in:
Udhëtarët për të përdorur Kioskat për Self Check-in duhet të posedojnë Pasaportë. Letërnjoftimi ende nuk përkrahet nga këto pajisje për të kryer pranimin e udhëtarit.
Përjashtim nga kjo përbëjnë rastet kur udhëtarët kanë përfunduar check-in online me ID kartelë. Në ato raste ata mund të përdorin edhe letërnjoftimin e tyre për të printuar biletën e tyre në Kioskat për Self Check-in. Nga muaji Gusht kur edhe ANP ka vënë në funksion Self Check-in, janë 26 mijë udhëtarë që kanë kryer procedurat nga vetë ata dhe rreth dhe janë procesuar mbi 15 mijë valixhe nëpërmjet Bag drops.