Shërbimi i urgjencës në Gjilan bëhet me dy autoambulanca të reja
Komuna e Gjilanit i ka dorëzuar të martën Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dy autoambulanca të reja të cilat janë investim krejtësisht i kësaj komune në shumën mbi 100 mijë euro.
“Jemi sot këtu për t’i dorëzuar dy autoambulanca në Gjilan dhe është investim 100 për qind i Komunës së Gjilanit, i planifikuar në mënyrën më të mirë prej Drejtorisë për Shëndetësi. E përgëzoj drejtorin Xhemaili dhe drejtorin e QKMF-së, Fejzulla Berisha, për punën e mirë që po e bëjnë në ndihmë të qytetarëve. Është projekt tepër i rëndësishëm dhe uroj që të përdoren në mënyrë më të mirë dhe të ruhen për shkak se është investim nga taksat e qytetarëve”, tha nënkryetari i komunës, Arbër Ismajli, pas dorëzimit zyrtar të këtyre dy autoambulancave.
Ndërsa drejtori i Shëndetësisë në Gjilan, Selami Xhemajli, ka thënë se krahas këtyre dy autoambulancave janë duke investuar në tërë shërbimin shëndetësor në këtë komunë.