Shërbimi Korrektues dhe Oda e Avokatëve pajtohen për vazhdimin e bashkëpunimit

02 shtator 2020 | 14:14

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Nehat Thaçi, ka pritur në takim kryetarin e Odës së Avokatëve, Behar Ejupi, nënkryetarin e kësaj ode, Naim Rudari dhe kryetarin e Degës regjionale të avokatëve të Prishtinës, Nasuf Hasani.

Në takim është diskutuar rreth sfidave dhe çështjeve me rëndësi për avokatët dhe institucionet korrektuese, si dhe ato të paraburgimit në kohë pandemie.

Gjatë takimit, Thaçi i ka njoftuar të pranishmit në lidhje me menaxhimin dhe masat e marra në parandalimin e pandemisë Covid-19 në institucionet korrektuese dhe atyre të paraburgimit, si dhe mbi gjendjen aktuale në përgjithësi në institucionet korrektuese.

Ndërsa kryetari i Odës së Avokatëve, Behar Ejupi, e ka përgëzuar Thaçin për menaxhimin e situatës dhe të parandalimit të përhapjes së infektimit në institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit.

Më tutje, ai ka kërkuar që në varësi të situatës dhe konform rekomandimeve dhe udhëzimeve për mbrojtje nga pandemia Covid-19, të mundësohet qasja më e lehtë për avokatët në institucionet korrektuese.

Në fund të takimit, të dyja palët janë pajtuar që të vazhdohet me bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt ndërinstitucional, me qëllim të identifikimit dhe avancimit të të gjitha çështjeve, të cilat janë me rëndësi për të dyja institucionet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë,…