Shërbimi Korrektues lehtëson masat ndaj Covidit
Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka njoftuar se nga data 5 maj secili i burgosur do të ketë mundësi të pranojë në vizitë dy vizitorë të rritur dhe tre fëmijë.
Familjarët gjatë vizitës së tyre janë të obliguar të respektojnë masat anti-Covid, (distancën sociale, vendosjen e maskës dhe dezinfektimin e duarve).
Ndërsa, nga data 10 maj, do të fillojë lejimin e vikendeve për të dënuarit të cilët plotësojnë kushtet ligjore për shfrytëzimin e vikendit në shtëpi.
Pas kthimit nga vikendi, të burgosurit do t’i nënshtrohen fazës së karantinimit në periudhë kohore prej së paku shtatë ditësh.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka filluar lehtësimin e masave në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik rreth hapave në vazhdim.