Shërbimi mjekësor në Isniq gjatë muajve qershor – shtator 1998
Në gjysmën e dytë të periudhës përgatitore e cila përfshinë muajin maj, në kuadër të realizimit të planit për mobilizim dhe ngritjes së kapaciteteve për luftë janë formuar edhe strukturat e prapavisë në kuadrin e së cilës kanë hyrë:
• shërbimi mjekësorë,
• shërbimi për deponim dhe mirëmbajtje të armatimit,
• shërbimi për furnizim të njësiteve me ushqim,
• shërbimi emergjent dhe
• shërbimi i kujdestarisë pranë komandës së shtabit.
Shumica nga këto struktura duke përfshirë edhe pjesën operative kanë filluar të jenë në funksion pas sulmit të parë të forcave serbe më 29 maj të 1998-s.
Nisma për funksionalizimin e shërbimit mjekësor ka ndodhë në fund të muajit maj të ‘98-s pas një takimi që kishte Skënder Rexhahmetaj me dr. Adem Çekaj nga fshati Irzniq i cili ka rekomanduar që shërbimi mjekësor për nevoja ushtarake të jetë i shtrirë edhe në fshatin Isniq. Dr. Ademi në atë kohë ishte përgjegjës për shërbimin mjekësor pranë Spitalit Ushtarak në Irzniq. “Ademi kishte ardhur në Isniq për këtë qëllim dhe pasi që e kishim diskutuar këtë çështje, menjëherë, po atë ditë jemi takuar me dr. Sylë Bruqin me ç’rast iu është komunikuar vendimi që kishim arritur me dr. Ademin”.
Për t’i diskutuar këto çështje është pa e udhës që ta takojmë dr. Shyt Shalën nga Prapaqani. Që të tre Skënderi Rrexhahmataj, Ademi Çekaj dhe Sylë Bruqi kanë shkuar te dr. Shyti ku edhe e kemi realizuar takimin. Në këtë takim është biseduar për kapacitetet dhe mundësitë e ngritjes së një shërbimi i cili do të mund t’i plotësojë kërkesat e kohës. Duke e vlerësuar lartë personalitetin dhe kontributin e dr. Sylës gjatë këtij takimi komandanti Rexhahmetaj ka kërkuar që në krye të Shërbimit Shëndetësorë të jetë vetë Sylë Bruqi kurse plotësimin me staf për këtë shërbim i merr përsipër në bazë të përgjegjësisë dhe kompetencave që i kishte në atë kohë.
Skënder Rexhahmetaj – Komandant “Kulla” (1969-2012).
Komandant i Shtabit në Isniq 1998.
Nga fundi marsit 1998 ishte zgjedhur komandant i Nënzona e IV të Rrafshit të Dukagjinit që përfshiu fshatrat: Isniq, Lëbush, Dobuvik, Strellc i Ulët, Strellcë i Epërm dhe Prapaqan, shtrirje të mëtejme në Raushiq e Lugu Baranit.
Më 23 qershor 1998 ishte emëruar përgjegjës kundër njësive të blinduara të Shtabit Rajonal të Dukagjinit.
Skënder Rexhahmetaj ishte pjesëmarrës i shumë betejave në pjesë të ndryshme të Rrafshit të Dukagjinit si dhe në Betejën historike të Koshares njëherë ishte emëruara komandant i batalionit të III-të të këmbësorisë së Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Pas çlirimit të Kosovës është dekoruar me dekret presidencial me Urdhrin “Luftëtar i Lirisë – Adem Jashari”.
Shërbimi mjekësor është vu në dispozicion më 29. 05.1998 atëherë kur kishte ndodhur edhe sulmi i parë i forcave serbe në Isniq.
Ambulancë në fshatin Isniq e filloi punën më 30.05.1998, në përbërje të këtyre mjekëve: dr. Canë Tishukaj, dr. Zenel Ahmetaj dhe dr. Hasan Ahmetaj. dr. Arif Tahirsylaj kishte shprehur dëshirën që të vazhdonte me ushtarët në vijë të frontit luftarak. Në ambulancë ndihmuan edhe infermieret: Valbone Januzaj, Sanije Ahmetxhekaj e Hysnije Pajazitaj. Me pëlqimin e të gjithëve përgjegjës ishte emëruar dr. Sylë Bruqi.
Dr. Sylë Bruqi, kryetar i Shoqata e Pavarur e Mjekëve të Kosovës të Komunës Deçanit.
Gjatë luftës çlirimtarë të UÇK-së1998 ishte emëruar përgjegjës për shërbimin shëndetësor në fshatin Isniq.
Në këtë kohë të gjithë mjekët afruan në dispozicion të gjitha mjetet personale që i kishin, sidomos mjetet të cilat ishin ruajtur dhe grumbulluar që nga viti 1990, e që kishte ndihmuar edhe Shoqata Humanitare « Agim Kukleci » nga Isniqi.
Në vazhdim për më shumë se tre muaj rresht ky shërbim ka funksionuar 24 orë duke kryer me qindra shërbime në kushte lufte. Për stacionimin e këtij shërbimi janë analizuar pos tjerash dispozitat në aspektin e sigurisë së lokacionit dhe objektit dhe është vendosur që objekti i cili do të dedikohet për këtë qëllim të jetë shtëpia e Nezir Mehmetaj. Ishte kjo shtëpia e cila ishte e ndërtuar me material të fortë dhe i plotësonte kushtet për një ambulancë të zgjeruar.
Nata e 11 gushtit 1998 ishte e paharruar edhe për mua sepse po luftoja për jetë a vdekje, mirëpo ka mesnata ndërroi jetë bashkëluftëtari Gzim Dervishaj nga Irzniqi. Me kujtohet kur mjekët thaë ta mbulojmë me peshqir, aty kuptova që tashme Gzimi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve që kishte marrë në betejë me forcat serbe në pozicionin e UÇK-së te Gerdaja të fshatit Carrabreg i Ultë dhe iu bashkua radhës së dëshmoreve për liri të vendit.
Njëri ndër objektet i cili është shfrytëzuar për hospitalizimin e të plagosurve ka qenë shtëpia e banimit të Selmon Mulaj. Aty ishin vendosur deri në 20 te plagosur. Në aneksin ku gjendej oda e burrave e cila ishte në katin e dytë dhe kishte një rregullim të brendshëm tepër komod, për një kohë është shfrytëzuar për hospitalizimin e qindra të plagosurve. Për përkujdesje përveç stafit mjekësor kontribut të madh ka dhënë edhe i zoti i shtëpisë, Selmon Mulaj, i cili ka qëndruar pranë tyre pa ndërprerë duke ndihmuar ekipin mjekësor dhe siguruar dhe ushqyer të plagosurit.
Luftëtarët e plagosur ishin nga fshatrat e ndryshme të Rrafshit të Dukagjinit. Një numër i tyre ishin plagosur gjatë ofensivës që kishin ndërmarrë forcat serbe në muajin korrik të ‘98-s në fshatrat Gllogjan, Rastavicë, Prejlep, Baballoq, Irzniq, Kodrali etj, kurse pjesa tjetër ishin dislokuar nga Spitali Ushtarak që aso kohe gjendej në Irzniq. Gjendja shëndetësore e të plagosurve ishte e rëndë, kishin nevojë për gjak, për pastrim të plagëve që u kullonin gjak, disa vdisnin nga plagët e mëdha, ndërkohë në terren vazhdonin luftimet.
Në ambulancën e Isniqit, një ditë para tërheqjes, pra më 8 shtator 1998 numri i pacientëve në librin evidentues e kalonte shifrën 15 mijë, kurse në mbi tetë qind plagë janë ndërhyrë, qofshin ato plagë të vogla apo të mëdha.
Shtatori 1998 janë ditët më të vështira të mijëra qytetarëve deçanas por në veçanti të ushtarëve të plagosur të UÇK-së që mbeten pa përkrahje.
Mjafton t’i shikojmë disa fotografi që dëshmon situatën e krijuar pasi që ishin larguar po thuajse të gjitha forcat ushtarake të UÇK-së të komanduara nga Qeveria e Kosovës që përbenin tri brigada dhe do të mbetet në ndërgjegjen e secilit epror dhe përgjegjës për ushtarët e plagosur që ranë në duart e forcave serbe.
Disa mjekë që punuan për Kryqin e Kuq kështu e përshkruajnë situatën e të plagosurve të sjell nga spitali i Kryshecit në Isniq ato ditë të fillimit të shtatorit 1998: “Në Dubovik jemi informuar nga vendësit se të plagosurit rëndë gjendeshin në xhaminë e Isniqit. Aty kemi arritur në të njëjtën kohë me forcat policore serbe që kishin depërtuar nga ana tjetër. Kemi hyrë në xhami bashkë me kolegët e huaj dhe kemi vendosur që të mos ndaheshim me nga të plagosurit. Numri i tyre i saktë nuk me kujtohet, por kanë qenë mbi dhjetë veta. Pavarësisht prej kërcënimeve, kemi organizuar transportin e tyre me automjetet që kishim për në spitalin e Pejës. Disa kolegë tanë të huaj kanë vazhduar kujdesin për ta në këtë spital, ndërsa mua, bashkë me dr. Shpetim Robaj dhe dr. Imer Aliun, me një përkthyese dhe një anëtar të stafit teknik ndërkombëtar na kanë shoqëruar me dhunë deri në kufirin e Kosovës me Malin e Zi ku na kanë urdhëruar: Kurrë mos u ktheni më në Kosovë. Pas mesnatës, OSBE-ja dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar kanë ndërhyrë dhe kanë garantuar kthimin tanë në Kosovë. Te nesërmen kur jemi kthyer kemi transferuar të plagosurit në Prishtinë dhe është e vërtetë, herë pas herë ata edhe janë keqtrajtuar në spitalet e okupuara prej forcave serbe”.
Të plagosurit e nxjerrë nga zona e luftimit kanë qenë nën përkujdesjen e Linda Bunjakut dhe zonjës Magy Brysson.
Trajtimi i të plagosurve nga forcat serbe vetëm ata që e kanë përjetuar mund ta përshkruajnë tmerrin dhe vuajtjet që ua kanë shkaktuar forcat serbe posa ranë në duar e tyre. Ajo që dihet Yll Morina kishte vdekur në spitalin e Novisadit pas maltretimit thuajse çnjerëzor që ia kishin bërë forcat serbe. Për të kuptuar me mirë trajtimin e të plagosurve që u morën në Isniq në shtator të vitit 1998 një punë të shkëlqyer për trajtimin e këtyre të plagosurve në spitalin e Pejës dhe të Prishtinës na ka pasqyruar prof. dr. Salih Krasniqi në librat e tij. “Krimet e luftës kundër pacientëve dhe personelit mjekësor të kryera nga forcat policore dhe ushtarake serbe në QKUK gjatë periudhës 1998-1999”.
Në këtë situatë të vështirë të shtatorit isha edhe vet.
Do të jem mirënjohës se pari shokut të studimeve Naim Bojkajt që më strehoi të axha i tij Brahim Bojkaj për një muaj dhe zbatoi sugjerimin e dr. Shpëtim Robaj dhe dr. Cen Bytyqi që të gjallë të mos dorëzoheshim në Kryqin e Kuq serb. Naimi së bashku me djalin e axhës Muhametin dhe Alin pothuajse çdo ditë vinin të unë për të më vizituar si dhe vëzhgonin situatën e vështirë që ishte krijuar në fshat, pasi që forca të mëdha policore ishin stacionuar në Isniq.
Familja e Brahim Bojkut u përkujdes në maksimum për shërimin tim duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Hatmone Bojkaj një burrëreshë e vërtet disa herë kishte marrë rrugën me nënën time këmbë nga Isniqi për në Pejë për të siguruar barna dhe gjëra që me nevojiteshin.
Në këtë situatë të vështirë pa dyshim qe një meritë të veçantë ka edhe Mehmet Bojkaj që u angazhua personalisht që unë të shpëtoj…!
Autor: Ismet Haskaj
P.S / Për çdo sugjerim apo plotësim, mirëpres bashkëpunimin tuaj.
Prishtinë, 30 prill 2024