Shërbimi sekret ukrainas: Si po e përgatit Rusia planin që ta lë pa bukë Ukrainën dhe botën
Departamenti i Inteligjencës së Mbrojtjes ukrainase ka alarmuar se forcat ruse kanë nisur luftë sistematike në dëmtimin e makinerisë agrikulturale në Ukrainë.
Me këto veprime, kanë thënë autoritetet ukrainase, Rusia është duke planifikuar ta lë pa bukë Ukrainën, dhe jo vetëm atë.
Institucionet e sigurisë së Ukrainës kanë dalë me një njoftim, ku kanë folur për planin rus, që të dëmtohet agrikultura e shtetit të tyre.
“Okupuesit qëllimshëm po i dëmtojnë makinerinë agrikulturore të Ukrainës. Raste të veprimeve të tilla sistematike janë regjistruar në Brovarsky, në rajonin e Kievit”, kanë thënë nga Inteligjenca e Mbrojtjes ukrainase.
Sipas njoftimit, veprimet e tanishme të forcave ruse mbi agrikulturën ukrainase, kanë për qëllim dëmtimin dhe rrezikimin e të mbjellave të periudhës së pranverës.
Kjo, kanë thënë autoritetet ukrainase është duke u bërë me qëllim që të shkaktohet krizë humanitare, në rajone të ndryshme të Ukrainës.
Mirëpo, këto përpjekje të Rusisë, sipas Inteligjencës ukrainase, nuk kanë për qëllim dëmtimin vetëm të shtetit të tyre.
“Shteti ynë është një nga furnizuesit kryesorë nga shumë fusha të agrikulturës në tregun e Evropës dhe të Kinës”, është thënë në njoftimin, të cilin e ka shpërndarë Mbrojtja e Ukrainës.
“Okupuesit po vazhdojnë praktikën për të sulmuar civilët. Kjo është shkelje flagrante e parimeve themelore të ligjeve ndërkombëtare”, është thënë në njoftim.